Edhe dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka unifikuar targat e automjeteve. Në vend, përveç targave “RKS”, legalisht përdoren edhe ato “KS”, të cilat përdoreshin para shpalljes së pavarësisë.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se janë mijëra vetura me targa “KS” dhe se në rast se nuk merret një vendim ndryshe, targat “KS” mund të përdoren edhe për katër vite.
Mentor Veseli, nga Ferizaj, nga viti 2011, për katër vite, veturën e tij e drejtoi me traga “RKS”, targa që simbolizojnë “Republikën e Kosovës”. Por, telashet që i shkaktoheshin në kufirin me Serbinë, bën që ai përsëri në veturën e tij të vendosë targa “KS”, të cilat paraqesin statusin neutral të Kosovës e që janë të pranueshme nga Serbia.
“Më herët i kam pasur RKS, por që tre vjet i kam heq. I kam vendos KS. Më bie të udhëtoj prej Kosovës nëpër Serbi, për të shkuar në shtete të tjera të kryej punë, po duhet me i heq targat. Po është e mundimshme kjo far pune, hiq e vendos targat provë. Edhe i kam vendosur targat KS”, tha Veseli.
Targat “RKS” që nga nxjerrja e tyre në vitin 2010, nuk pranohen nga Serbia, edhe pse dy shtetet janë pajtuar në Bruksel për lejimin e lëvizjes së lirë të automjetet me targa të dy shteteve. Kosovarët që shkojnë në Serbi, apo këtë shtet e shfrytëzojnë si tranzit, janë të detyruar të mbulojnë targat “RKS” ose të pajisen me targa “prova”. E kjo, ka bërë që shumë kosovarë të heqin targat e Republikës dhe të pajisen përsëri me targa “KS”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Roksana Qarri, tregon për Radio Kosovën se sa është numri i veturave që kanë targa “KS” dhe se kur ato mund të largohen nga përdorimi.
“Numri i automjeteve të regjistruara me targa “KS” është 27 mijë e 386. Gjatë këtij viti numri i automjeteve të regjistruar me targa “KS” është 4 mijë e 179. Këtyre targave vitin e kaluar u është vazhduar afati i përdorimit edhe për pesë vite dhe deri në një vendim tjetër nuk do të ketë ndryshim”, tha Qarri.
Përderisa zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregoi se targat “KS” mund të përdoren edhe për katër vite, nëse nuk merret një vendim tjetër, Mentor Veseli e kosovarë të tjerë kërkojnë që edhe Kosova të veprojë me shtetasit serbë, ashtu si vepron Serbia me kosovarët. Ideja e vendosjes së reciprocitetit për targa me Serbinë, është përfolur disa herë pasi Kosova vendosi taksën 100 për qind për produktet e serbe, por megjithëkëtë, reciprociteti akoma nuk është vendosur.