“Kosova është Europë”, deputetët kosovarë e presin në konsullatë kolegun ukrainas

Prishtinë | 12 Tet 2022 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

“Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Europës”.

Me këtë thirrje për shtetet mosnjohëse ku bën pjesë edhe vendi i tij, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, mbajti dje një fjalim të zëshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku në debatin për Ballkanin Perëndimor pati kryefjalë Kosovën.

Përkrahja e tij mori simpatinë e opinionit kosovar, i cili e pa edhe si shpërblim për mbështetjten që Kosova po i jep Ukrainës, përkundër që s’e pranon shtetësinë e saj.

Për këtë, konsullata e Kosovës në Strasburg ka organizuar pritje për të dhe kolegen e tij të Parlamentit të Ukrainës, Mariia Mezentseva.

Nikoqirë ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që këto ditë po qëndrojnë në Strasburg.

Për këtë pritje ka njoftuar ambasadori i Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.

“Me delegacionin e Kuvendit të Kosovës shprehëm solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë për delegacionin e Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, përfshirë Mariia Mezentseva dhe Oleksiy Goncharenko, kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe deputetë të tjerë. Kosova qëndron me Ukrainën në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta, lirisë dhe të drejtave të njeriut”, ka shkruar ai.

Të ngjashme