Daniel Serwer ka thënë se Kosova do të ballafaqohet me presion ndërkombëtar për marrëveshje të shpejtë me Serbinë.
Daniel Serwer, ekspert për Ballkanin, ish i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit dhe ish-zëvendëspresident i Institutit Amerikan për Paqe (USIP) ka deklaruar se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë presion të fuqishëm mbi Kosovën për arritjen e marrëveshjes me Serbinë para zgjedhjeve në Beograd, në pranverë të vitit 2020.
Ai po ashtu theksoi se Kosova duhet të jetë e gatshme të refuzojë çfarëdo lloj marrëveshje që shkel integritetin e saj territorial. Në shkrimin e publikuar në blogun e tij, Serwer ka theksuar se “nuk shoh asnjë përparësi për Kosovën nëse dorëzohet para një presioni të tillë”, shkruan “Zëri i Amerikës”.
“Prishtina duhet të jetë e gatshme të refuzojë marrëveshje të këqija, në mënyrë që të arrijë të mirin. Marrëveshja e keqe e cila shkelë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, kurse marrëveshja e mirë mund të siguron decentralizim të mjaftueshëm dhe do t’i mundësonte pakicama të menaxhojnë me mjediset e tyre”, theksoi Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins në Washington.
Ai ka shkruar se nuk e ka të qartë pse SHBA kanë emëruar dy të dërguar të posaçëm për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe theksoi se kjo më tepër krijon konfuzion se qëllim.
Mattew Palmer është emëruar i dërguar i posaçëm i sekretarit të shtetit për Ballkanin Perëndimor, kurse ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell është emëruar i dërguar special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Nuk do të befasohem nëse nacionalisti etnik, ambasadori Grenell i cili ka bërë gjithçka që kishte mundësi në qeverinë e Gjermanisë, të mundohen ta ringjall idenë e shkëmbimit të territoreve”, theksoi Serwer dhe përsëriti se për stabilitet të rajonit është me rëndësi që kufijtë të mos vizatohen me vija etnike. Serëer po ashtu paralajmëroi Kosovën dhe Shqipërinë ta braktisinë idenë e “Shqipërisë së Madhe”.
“Washingtoni dhe Brukseli do të vazhdojnë ta hedhin poshtë idenë e Shqipërisë së Madhe e cila nxitë destabilitet. Shqipëria dhe Kosova do të ishte mirë t’i zgjidhin problemet e brendshme në kuadër të kufijve ekzistues, të mbajnë raporte të mira me shtetet fqinje dhe lidhje të afërta kulturore me shqiptarët që jetojnë në shtete tjera”, theksoi profesori.
Ai kritikoi vendimin për shtyrje të reja për hapjen e negociatave në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke thënë se “Franca dhe Holanda duhet të kenë turp” për atë që i kanë bërë Tiranës dhe Shkupit.