“Kosova është Serbi” – mesazhet e tifozëve të Spartakut pas transferimit të Mirlind Dakut

Prishtinë | 07 Gus 2026 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, ishte i pranishëm në stadium gjatë ndeshjes së Kupës së Rusisë mes Spartak Moskës dhe Orenburgut, ku një pjesë e tifozëve vendas shfaqën pankarta dhe brohoritje me përmbajtje fyese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Vetëm pak ditë pasi u transferua te Spartaku, Daku u përball me një situatë të pakëndshme në ambientin e klubit të ri. Edhe pse vëmendja kryesore ishte te zhvillimet në fushë, në tribuna u dëgjuan thirrje me karakter politik.

Në videot e publikuara nga mediumi rus “Bombardir”, dëgjohen brohoritje si “Kosova – Serbia”, ndërsa në tribunë u shfaq edhe një flamur gjigant me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, transmeton Klankosova.tv.

Sipas mediave ruse, gjatë ndeshjes pati edhe thirrje të tjera, përfshirë mesazhe nacionaliste si “Rusët dhe serbët janë vëllezër përgjithmonë”, si dhe kore fyese ndaj shqiptarëve.

Spartaku i Moskës, një nga klubet më të njohura në Rusi, e ka transferuar Dakun me pritshmëri të mëdha sportive dhe financiare.

Megjithatë, episodi i parë i tij në ambientin e ri ka rikthyer në vëmendje qëndrimet politike të një pjese të tifozëve të klubit ndaj Kosovës.

Të ngjashme