Kosova hap ambasadën në Jerusalem

Prishtinë | 14 Mar 2021 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izraeli me seli në Jeruzalem, bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit.

MPJD-ja ka njoftuar se gjatë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1 shkurt të vitit 2021, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kishte bërë zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jeruzalem.

“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të ngarkuarën me punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem. Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet nga MPJD-ja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme