Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur heqjen e tarifave doganore për të gjitha produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se prej sot, këto produkte do të kenë tarifë zero për qind në hyrje në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla e cilësoi këtë hap si pjesë të një transformimi substancial në marrëdhëniet me SHBA-në gjatë katër viteve të fundit, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe diplomacisë. Ajo theksoi se vendimi pasqyron angazhimin e Kosovës për forcimin e partneritetit me SHBA-në.
“Gjatë katër vjeçarit që lamë mbrapa marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një transformim substancial, i cili ka çuar në forcim të marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha të rëndësishme dhe sidomos në fushën e sigurisë dhe në diplomaci. Prandaj ky vendim e shohim në vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me ShBA-në jo vetëm në forcimin e miqësisë por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti të mirëfilltë me shtetin i cili ka qenë përkrahës gjithmonë”, tha ajo.
