Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave doganore ndaj të gjitha produkteve të importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky hap vlerësohet si një përforcim i marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në dhe si nxitje për tregti dypalëshe më të fuqishme. Oda Amerikane thekson se masa do të krijojë mundësi të reja për konsumatorët dhe bizneset vendase, si dhe do të rrisë atraktivitetin e Kosovës për investitorët amerikanë.
“Duke hequr tarofat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese. Në të njëjtën kohë, kjo masë hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përgëzon Qeverinë e Kosovës për marrjen e këtij vendimi duke shprehur gatishmërinë për promovimin e mundësive të shkëmbimit më të madh tregtar në të ardhmen. Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe ata në Shtetet e Bashkuara”, thuhet ne njoftim.