Kosova importoi 260 milionë € në nëntor, eksportoi vetëm 30 milionë

Prishtinë | 26 Dhj 2017 | 17:48 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2017.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për
13.7% në muajin nëntor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 230,5 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 202,7 milionë Eurosh në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 11.5%.

Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2017 kishte vlerën 30,0 milionë Euro, ndërsa importi 260,6 milionë Euro, që është një rënie prej (-6.3%) për eksport dhe një rritje prej 11.0% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.9% e përbëjnë produktet minerale; 13.0% e përbëjnë plastike, goma dhe artikujt prej tyre; 11.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.2% e përbëjnë produktet bimore; 3.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.4% të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.6% e përbëjnë produktet bimore; 4.6% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij etj.

Kurse, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,0 milionë Euro, ose rreth 26.9% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.6%), Holanda (4.7%), Bullgaria (2.9%), Britania e Madhe (2.6) etj.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 114,8 milionë Euro, ose 44.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.3%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.3%), Italia (6.1%), Greqia (4.7%), Polonia (2.9%) etj.
Në muajin nëntor 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15,6 milionë Euro, ose 52.0% të eksporteve të përgjithshme, që është një rënie prej (-5.8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.3%), Serbia (15.9%), Maqedonia (11.4%), Mali i Zi (5.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin nëntor 2017, arritën në 73,0 milionë Euro, ose (28.0%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.2%), Maqedonia (5.5%), Shqipëria (5.3%) dhe B&H (2.4%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6,3 milionë Euro, ose (21.1%). Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (8.9%) dhe Zvicra (7.6%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 72,7 milionë Euro, ose (27.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (9.2%) dhe Kina (8.5%).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme