Kosova ka 349 ura të vjetra, MI shton vigjilencën pas tragjedisë në Itali

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 10:09 | Nga

Tragjedia që ndodhi në Gjenova të Italisë ku si pasojë e shembjes së urës humbën jetën 43 persona, 2 prej tyre shqiptarë ka ngritur alarmin dhe frikën për gjendjen e autostradave dhe urave në gjithë Evropën. Tragjedia në Itali ka qenë alarm edhe për shtetin e Kosovës.

Shembja e urës së Morandit, e gjatë një kilometër dhe e lartë 90 metra ka sjellë reagimin e Ministrisë së Infrastrukturës në Kosovë për të hedhur sytë kah siguria e urave në vend.

Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës, Argjend Zejnaj, i tha Ndërtimi.info se do të shikojnë mundësitë për ndërhyrje urgjente në objektet e vjetruara të urave që mos të përballen me situata të palakmueshme.

E për këtë, Zejnaj ka thënë se do të zgjedhin ekspertët e fushës për të bërë ekzaminimin e të gjitha urave dhe marrjen e masave sipas gjendjes në të cilën gjenden urat.

“Alarmi i bazuar që sot është ngritur në Evropë në lidhje me gjendjen e urave pas rastit tragjik në Gjenova të Italisë është edhe për neve një këmbanë alarmi që sigurisht se ka objekte të vjetruara të urave që do të shikohet mundësia të ndërhyjmë me urgjencë që të mos vijmë deri në të tilla pamje te padëshiruar. Si Ministri do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm dhe të shpejtë, duke zgjedhur ekspertë të fushës për të bërë fillimisht ekzaminimin e të gjitha urave dhe marrjen e masave me radhë sipas gjendjes së tyre, disa nga të cilat situacione tashmë veç janë sa i përket qëndrueshmërisë së urave në Kosovë”, ka thënë Zejnaj.

Kosova ka 349 ura të vjetra, që datojnë qysh në vitet e 1970-të. Por sipas Zejnajt, matjet e qëndrueshmërisë së këtyre urave është e rregullt.

Veç këtyre urave të vjetra, në Kosovë janë edhe 20 ura të reja dhe ura 6 kilometërshe që po ndërtohet në Autostradën “Arbën Xhaferi” e që është më e gjata në Ballkan.

“Në Republikën e Kosovës, nëpër të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale janë gjithsej 349 ura të vjetra. Nr. dominant i tyre daton rreth viteve të ’70-ta. Sa i përket mirëmbajtjes së tyre dhe matjeve të qëndrueshmërisë, (edhe para se të ndodhë rasti më urën në shtetin e Italisë) është relativisht i rregullt. Për këtë problematikë, Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve, gjegjësisht Divizioni i Ndërtimit dhe Rekonstruktimit të Rrugëve është organi i cili merret me mirëmbajtjen e tyre dhe e trajton gjendjen e urave në të gjithë Republikën e Kosovës por me theks të veçantë gjendjen e disa prej tyre me emër të cilat janë shumë më të rënduara në pikpamje të qëndrueshmërisë së tyre. Ura të reja janë 20”, tregoi Zejnaj për Ndërtimi.info

Për mirëmbajtjen e urave është ndarë një fond i veçantë por që është i pamjaftueshëm për të bërë atë që këto ura kanë nevojë.

“Ju informoj se deri në këtë vit kujdesi për urat ka qenë në kuadër të mirëmbajtës së rrugëve (mirëmbajtja verore dhe dimërore që quhet brenda Ministrisë së Infrastrukturës) por pas kërkesës së divizionit të sipërcekur në vitin e kaluar, për mirëmbajtjen e urave është ndarë një fond i veçantë i cili fond nuk është i mjaftueshëm për të bërë atë që këto ura kanë tepër nevojë e që është rikonstruktimi apo mirëmbajtja e tyre”, ka theksuar Zejnaj.

Kurse, shteti i Shqipërisë menjëherë pas shembjes së urës ka nisur që të marr masa për urat në vend e që ekzistojnë një mori urash që janë ndërtuar më shumë se 50 vjetë më parë e nëpër të cilat kalojnë tonazhe të ndryshme, gjë të cilave iu mungon edhe raporti se çfarë peshë mund të përballojnë ato duke pasur parasysh edhe vitet që kanë kaluar.

Përveç urës së Vorës që rrezikon të shembet, sipas specialistëve atje është edhe ura në Kukës që lidh pjesën verilindore të vendit duke përfshirë edhe Kosovën e vendet e  tjera është mjaft e amortizuar.

Rrezik për qytetarët është edhe ura e ndërtuar mbi Drinin e Zi.

Një problem mjaft të madh paraqet edhe ura, e cila lidh Milotin me Lezhën, urë e cila lidh mjaft fshatra të Mirditës. Dhe po ashtu edhe ura e Tapizës e cila është pjesë e nysje kryesore që lidh kryeqytetin shqiptar me zonat tjera.

Këmbët e kësaj ure prej vitesh janë të konsumuara, por askush nuk është përkujdesur për ta rikonstruktuar atë, apo edhe për të ndërtuar një urë të re. I vetmi investim në këtë urë janë hedhja e pak metër kubve asfalt për të evituar gropat e krijuara herë pas here.

Një urë tjetër që paraqet mjaft rrezik është edhe ura e Dragotit e cila lidh jugun e vendit me juglindjen. Kjo urë është e ndërtuar në vitin 1936 nga italianet, por në atë kohë ka pasur edhe një tabelë në të cilën shkruheshin edhe udhëzimet e përdorimit të urës, por që më pas janë larguar nga të rinjtë e autoritet të rrugëve. Ura e dragoit lidh Gjirokastrën me Përmetin, Këlcyrën, Lesovikun, Ersekën dhe Korçën prej më shumë se 70 vjetësh nuk ka parë rikonstruksion, rikonstruksioni i fundit është bërë në vitin 1947. Qe prej asaj kohe askush nuk ka marrë asnjë masë për të.

Pas tragjedisë së shembjes së urës në Gjenova të Italisë, renovimin e urave ka vendosur ta bëjë menjëhere edhe Bullgaria. Kjo e fundit ka vendosur të rinovojë më shumë se 200 ura.

Një total prej 211 urave, shumica e të cilave janë ndërtuar 34 apo 40 vjet më parë janë në gjendje të keqe, ka thënë ministria për Zhvillim Rajonal në një takim qeveritar.

Në Francë, ministrja e transportit ka paralajmëruar se rrjeti i rrugëve është në gjendje kritik pas një studimi të kryer së fundmi nga qeveria franceze sipas të cilit, një e treta e urave të vendit kanë nevojë për riparime dhe se 841 të tilla përbëjnë rrezik potencial.

Në Itali, rreth 300 ura janë në rrezik shembjeje, përfshirë edhe një urë afër agrixhentos në Siçili, projektuar nga i njëjti arkitekt që qëndron edhe pas urës së Gjenovas. Autoritetet siciliane kanë mbyllur strukturën për shkak të dëmtimit të kolonave.

Në Gjermani, një raport i hartuar nga instituti federal për kërkime autostradale doli në përfundimin se 12.4 për qind e urave të vendit ishin në gjendje jo të mirë dhe vetëm 12.5 për qind konsideroheshin në gjendje të mirë. Shumë nga urat janë ndërtuar në vitet 60-70 dhe një trafik si ky i sotmi nuk ishte imagjinuar.

Në Gjermaninë lindore situata është më e mirë për shkak të punimeve të kryera në vitet 90 dhe 2000, pas ribashkimit. Në anën tjetër, në Holandë, ka shqetësime për gjendjen e urave që mirëmbahen nga autoritetet lokale, por ato nën kontroll qeveritar konsiderohet se janë në gjendje të mirë.

Të ngjashme