Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) për vitin 2021.
Ky publikim ofron të dhëna për shfrytëzimin e tokës bujqësore, kulturat bujqësore, blegtorinë dhe produktet blegtorale, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet) dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.
Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se në Kosovë sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 326.60hektarë (përfshirë tokën e përbashkët). Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 51.65%, ndërsa toka e punueshme – arat marrin pjesë me 44.82%; kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanët) me 3.27%; dhe kopshtet me 0.29%.
Nga gjithsej tokë e punueshme – arat (188 374.71 ha), pjesa më e madhe është me: drithëra (124 477.18 ha) ose 66.08%; bimë foragjere me 37 626.79 ha (20.05%); perime gjithsej (në fushë të hapur, në serra dhe kopshte) janë 10 142.42 ha, prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra janë 9 053.00 ha (4.81%), patate me 3 853.75 ha (2.05%), bishtajore me 3 028.95 ha (1.61%), bimë industriale me 884.86 ha (0.47%), kultura të tjera me 2 752.71 ha (1.46%); dhe tokë djerrinë janë 6 697.49 ha (3.56%).
Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës, është 32 040.14 ha. Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide ishte 122 138.02 ha.
Sipas rezultateve të AEB 2021, numri i gjedheve ishte 260 528 krerë; i deleve ishte 211 354 krerë; i dhive ishte 30 039 krerë; i derrave ishte 47 384 krerë; i njëthundrakëve (kuaj, mushka, gomarë) ishte 1 864 krerë; i shpezëve (pula, qura, rosa dhe pata) ishte 2 788 435 krerë; dhe gjithsej numri i koshereve të bletëve ishte 219 077.
Metodologjia dhe standardet e aplikuara në AEB 2021 (përkufizimet – definicionet, pyetësori dhe udhëzuesi) janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.