Kosova ka rreth 40 mullinj të cilët janë në gjendje të prodhojnë miell për mbi pesë milionë banorë. Pra, edhe pas rënies drastike të importit të miellit nga Serbia, Kosova nuk ka problem me furnizim me grurë
Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vënien e tarifës prej 4 centësh për miellin e importuar nga Serbia, Muhamet Farizi nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit dhe Mullinjve ka thënë se çmimi i miellit në Kosovë ka rënë për një kohë të shkurtër, por tashmë është siç ka qenë më parë.
“Në aspektin e përpunimit të grurit Kosova ka numëruar rreth 90 mullinj prej tyre nga konkurrenca brenda Kosovës që ka ekzistuar dhe pamundësisë me eksportu miell për shkak të barrierave që na i bëjnë shtetet përreth, punojnë vetëm 40 mullinj. Edhe këta 40 mullinj janë në gjendje të prodhojnë për t’i ushqyer mbi 5 milionë banorë. Ka pasur një konkurrencë brenda shteti tonë”, tha Farizi.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit në një periudhë kohore mielli është shitur edhe më lirë se sa ka qenë më përpara.
Por, sipas Farizit tash në ditët e fundit është stabilizuar, dhe është një çmimi konstant sikurse ka qenë përpara dhe nuk ka rritje të çmimit të miellit dhe bukës. Ai shprehë shqetësimin se Kosova vazhdon të ketë pengesa për eksport të miellit në Maqedoni e Shqipëri.
“Ne kemi pengesa për eksport nga Maqedonia, e cila ka nxjerr disa barriera për me u bë disa analiza të cilat duhet të bëhen në Maqedoni e që kushtojnë mbi 900 euro e që nuk ke mundësi me dërgu në Maqedoni. Shqipëria kërkon që proteinat me qenë mbi 12 %, mielli jonë është i bardhë e proteinat e tilla nuk i ka as mielli i Shqipërisë. Kështu që është një raport në mes të interesave të mullisëve të Shqipërisë me ministrin e bujqësisë në Shqipëri”.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë masa për importin e miellit nga Serbia që nga 23 tetori i këtij viti, dhe kjo ka bërë që importi i miellit nga Serbia të ketë rënie për rreth 78 për qind.
Që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi për vendosjen e tarifës prej 0.04 centë për importin e miellit nga Serbia, ka rënë dukshëm importi i miellit nga ky shtet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan Arbresh.info.
Nga 3.8 milionë kilogramë sa kishte import të miellit nga Serbia në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ai ka rënë në 800 mijë kilogramë sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit 2016, të importit të miellit nga Serbia, shohim se rënia e importit te miellit nga Serbia nga 23 tetori, është për 3,033,785.50 kilogramë.