Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, priti ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly, me të cilin diskutoi për padrejtësinë rreth mosliberalizimit të vizave, perspektivën evropiane të Kosovës, të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, njofton kumtesa.
Çelaj e falënderoi Ambasadorin irlandez për votimin pro Kosovës në Parlamentin Evropian dhe Interpol, duke e njohur atë me realizimin e 95 kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Jemi të dëshpëruar për mos liberalizimin e vizave. Megjithatë, ne jemi të angazhuar fuqimisht për procesin integrues. Për këtë proces, kemi konsensus nacional, duke zbatuar me prioritet Agjendën e Reformave Evropiane si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, theksoi Çelaj, duke shtuar se nuk kemi alternativë tjetër, përpos integrimit me vlerat evropiane.
Ambasadori i Irlandës, Pat Kelly, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, realizimin e 95 kushteve nga udhërrëfyesi si dhe perspektivën integruese për gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.
Në takim u theksua po ashtu rëndësia e dialogut, fqinjësia e mirë dhe zgjedhjet me interes të përbashkët dhe rajonin.
Po ashtu, u vlerësua lartë bashkëpunimi i deritashëm, Kosovë-Irlandë si dhe gatishmëria e thellimit të këtij bashkëpunimi, duke u pajtuar se Kosova mund të marrë disa nga përvojat integruese nga ky vendi mik, i cili është ndër vendet me cilësinë më të lartë të jetës në Bashkimin Evropian.