Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për “Kulturat e Arave në Republikën e Kosovës, 2014”.
Nga ky publikim ka dalë se rezultatet e Regjistrimit të Bujqësisë (RB) 2014 kanë treguar se pjesëmarrja e tokës së punueshme-arave, në gjithsej sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore është 43.6% (180 381 ha). Sipërfaqja mesatare e tokës së punueshme – arave për ekonomi bujqësore është 1.6 ha.
Drithërat zënë pjesën më të madhe të tokës së punueshme – arave, ku gjithsej janë 97 026 ekonomi bujqësore, me sipërfaqe të përgjithshme të kultivuar me drithëra 131 949.39 ha.
Madhësia mesatare e sipërfaqes me drithëra për ekonomi bujqësore është rreth 1.36 ha. Mbi 81.8% e ekonomive bujqësore, ose 79 396 sosh, kanë nën 2 ha sipërfaqe për ekonomi bujqësore të kultivuara me drithëra.
Kultura, që zë pjesën më të madhe të tokës së punueshme-arave është gruri (50.3%), i pasuar nga misri (19.4%).
“Prodhuesit më të mëdhenj të grurit në nivel global në vitin 2013, sipas statistikave të FAOSTAT-it (2013) ishin: Kina, 115 milionë/t; India, 80 milionë/t; ShBA, 60 milionë/t; Rusia, 41 milionë/t; dhe Kanada, 23 milionë/t. Ndërsa, nga vendet e BE-së, sipas Eurostatit (2013), prodhuesit më të mëdhenj ishin: Franca, me rreth 37 milionë/t; Gjermania, me rreth 25 milionë/t; dhe Bullgaria, me 5.4 milionë/t. Kurse, nga vendet e ish-Jugosllavisë, prinë Serbia me 563 403 ha, e pasuar nga Kroacia me 204 506 ha, të mbjellur me grurë”.
Sipas Regjistrimit të Bujqësisë në Republikën e Kosovës, (RB) 2014, sipërfaqet e kultivuara me grurë, ishin 90 727.78 ha, ndërsa numri i ekonomive bujqësore, që kanë kultivuar grurë ishte 74 532 ekonomi bujqësore, ose rreth 1.22 ha për ekonomi bujqësore.
Komuna me pjesëmarrjen më të lartë në kultivimin e grurit për nga sipërfaqja e kultivuar me grurë është Skënderaj, me sipërfaqe 6 936.96 ha, ndërsa komuna e Podujevës ka numrin më të madh të ekonomive bujqësore, që merren me kultivimin e grurit.
Prodhuesit më të mëdhenj të misrit, sipas FAOSTAT (2013) janë: ShBA me mbi 350 milionë/t; Kina me mbi 217 milionë/t; Brazili me rreth 80 milionë/t; dhe Argjentina me mbi 32 milionë/t. Ndërsa, në vendet e BE-së (Eurostat, 2013) prodhuesit më të mëdhenj janë: Franca me mbi 15 milionë/t; Spanja dhe Rumania me mbi 11 milionë/t; dhe Hungaria me rreth 7 milionë/t.
Sipërfaqet me misër, në nivel vendi sipas RB 2014 ishin 35 038.22 ha, ndërsa numri i ekonomive bujqësore, që merren me kultivimin e misrit është 64 979. Mesatarja e sipërfaqes së kultivuar me misër për ekonomi bujqësore është 0.54 ha. Vetëm 15% e sipërfaqes së kultivuar me misër i përket klasës me mbi 5 ha, kurse 66% e sipërfaqes së kultivuar me misër i përket klasës nën 2 ha.
Sa i përket komunave, Podujeva ka numrin më të madh të ekonomive bujqësore, që merren me kultivimin e misrit, me gjithsej 5 237, ndërsa komuna e Lipjanit ka sipërfaqen më të madhe të kultivuar me misër, 2 222.40 ha.
Sa u përket bishtajoreve kokërr, kultura më e kultivuar është fasulja. Sipërfaqet e përgjithshme me fasule kokërr janë 3 958.55 ha, ndërsa numri i ekonomive bujqësore, që kultivojnë fasule kokërr është 34 925.
Sipas komunave, Podujeva ka sipërfaqen (375.26 ha) më të madhe me fasule kokërr, krahasuar me komunat e tjera, në nivel vendi. Gjithashtu, kjo komunë ka edhe numrin më të madh të ekonomive bujqësore (3 951), që kultivojnë fasulen kokërr.
Sa u përket frytrrënjorëve, patatja është kultura kryesore frytrrënjoreve, që kultivohet në Kosovë. Sipas RB 2014, sipërfaqet e përgjithshme në nivel vendi me këtë kulturë janë 3 694.53 ha, të kultivuar nga 18 732 ekonomi bujqësore. Komuna, që ka sipërfaqen më të madhe të kultivuar me patate është komuna e Vushtrrisë, me sipërfaqe 1 327.84 ha.
Sa u përket bimëve foragjere, jonxha, tërfili, përzierja e barit, misri i gjelbër dhe kungulli foragjer janë kulturat më të kultivuara, si për nga sipërfaqja, ashtu edhe për nga numri i ekonomive bujqësore, që i kultivojnë këto kultura. Sipas Regjistrimit të Bujqësisë 2014, në Kosovë jonxha kultivohet në sipërfaqe prej rreth 15 010.77 ha, nga gjithsej 23 687 ekonomi bujqësore.
Komuna që dallohet për nga numri më i madh i ekonomive bujqësore dhe sipërfaqes me kultivim të jonxhës është Skënderaj me 2 419 ekonomi bujqësore dhe sipërfaqe 1 734.75 ha.
Sipas RB-së 2014, 34 827 ekonomi bujqësore merren me kultivimin e perimeve, në një sipërfaqe të përgjithshme prej 6 689.15 ha. Me perime është e mbjellë 3.7% e tokës së punueshme – arave (6 689 ha). Në mesin e perimeve, më shumë se 38% e tokës së mbjellë është me speca, kurse janë 30 533 ekonomi familjare, që e kultivojnë këtë kulturë në sipërfaqe të përgjithshme prej 2 553.01 ha.
Sipas komunave, dominimin si për nga numri i ekonomive bujqësore, që kanë kultivuar speca (2 779 sosh), ashtu edhe për nga sipërfaqja kultivuese me këtë kulturë, 1 160.48 ha e ka komuna e Rahovecit.