Kosova kërkon hapjen e arkivave: Zhdukjet me forcë ishin krime të kryera nga Serbia

Prishtinë | 30 Gus 2023 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Kosova po i kërkon Serbisë hapjen e arkivave si dhe lejimin e gërmimeve në lokacione e shënjuara në Serbi për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një tryezë të organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacionit të Familjeve të të Zhdukurve, u diskutua mbi gjendjen aktuale të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Aty u tha se Qeveria e Kosovës bashkohet me botën demokratike dhe me thirrjet e familjarëve nga tërë Kosova për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur.

“U ritheksua përkushtimi dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vërtetën, për të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë. U theksua se kjo çështje vazhdon të jetë prioritet i veçantë, duke pasur në fokus familjarët e personave të zhdukur. Nga kjo tryezë, KQPZh dhe KKAFZhK i bënë thirrje Serbisë për hapje të arkivave, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, si dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara në Serbi”, është theksuar në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka përmendur mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë.

Ai ka ritheksuar domosdoshmërinë e angazhimit të faktorit ndërkombëtar për zbatimin e Deklaratës së adoptuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Ai rikujtoi se me adoptimin e Deklaratës për personat e zhdukur më 2 maj 2023, pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur.

Me homazhe pranë obeliskut të personave të zhdukur, Kosova ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Të ngjashme