Kosova me mbi një milion kartela debiti

Prishtinë | 01 Nën 2016 | 15:25 | Nga

Gjatë Konferencës vjetore të Shoqatës së Bankave në Kosovë u bë prezantimi i studimit “Digjitalizimi i shërbimeve bankare në Kosovë”, i ndihmuar nga ShBK dhe Fondi Evropian për Evropën Juglidore- EFSE.

Në Kosovë janë 187,297 llogari aktive e-banking, apo 18 për qind më shuam se në vitin 2014, përmes të cilave janë bërë 2,3 milionë transaksione , apo një qarkullim 5,7 miliardë eurosh, ose 36.5 për qind më shumë se një vit më parë.

Në përdorim janë edhe mbi një milionë kartela prej të cilat afër 835 mijë janë kartela debiti. Në total, në vitin 2015 janë kryer mbi 16 milionë transaksione, ku numri më i madh i tyre ka të bëjë me tërheqje nga ATM-të dhe pagesa përmes POS terminaleve. Përmes këtyre transaksioneve kanë qarkulluar mbi 2.5 miliardë euro.

Një studim tregon se bankat e Kosovës kanë aplikuar praktikat më të mira ndërkombëtare për procesin e tyre të vazhdueshëm të digjitalizimit për të përmirësuar shumë shërbimet retail, duke rezultuar në qasje të lehtë, me kosto të lire, 24 orë në llogari, dhe duke i lejuar konsumatorët të kryejnë transaksione kudo që kanë qasje në internet.

Petrit Balija, drejtor ekzekutiv i ShBK-së theksoi se konferenca po mbahen pikërisht  në Ditën Botërore të Kursimeve, ndërsa për herë të parë po hapet edhe një temë, e cila ka të bëjë me funksionimin e brendshëm të bankave dhe të relacioneve të tyre me klientët, si është digjitalizimi.

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore , Fehmi Mehmeti theksoi se i tërë sistemi bankar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm, stabil dhe likuid. Është inkurajuese rritja shumë e madhe e kreditimit, që tregon për kyçje  gjithnjë e më të madhe të bankave në ndihmë për zhvillimin ekonomik.

Ilir Aliu, kryetar i Bordit të Drejtorëve të ShBK-së prezantoi një vështrim mbi situatën aktuale në sistemin financiar. Sipas Aliu me rëndësi është rritja shumë e madhe e të gjithë treguesve, si depozitave, kreditimit, por edhe rënia e shpejtë e normave të interesit për kredi.

“Duhet thënë se edhe fitimi i madh që kanë bankat nuk është arritur në dëm të klientëve, por duke ulur kostot dhe shpenzimet e përgjithshme dhe duke rritur vëllimin e shërbimeve”, theksoi Aliu.

Ibrahim Rexhepi, drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), paraqiti një pjesë të studimit që tregon se bankat e Kosovës janë duke ndjekur me sukses tendencat e zhvillimit në digjitalizim edhe pse kanë më pak përvojë se vendet e tjera. Kjo tendencë ishte e dukshme kryesisht në përmirësimin e shërbimeve bankare, të cilat janë të fokusuara në qasje të lehtë dhe të pakufizuar në llogaritë e klientëve.

“Të gjitha bankat janë angazhuar tashmë në digjitalizim dhe i ofrojnë klientëve shërbime bankare mobile përmes aplikacioneve mobile dhe teksteve bankare. Për të arritur këtë nivel, bankat kanë përgatitur të gjithë kuadrin ligjor dhe institucional, si dhe një nivel të lartë të monitorimit”, shpjegoi Rexhepi.

Për të ilustruar këtë zhvillim, ai vuri në dukje se në Kosovë ka rreth 188,000 llogari aktive e-banking, 18 për qind më shumë se në vitin 2014 – përmes të cilave 2.3 milionë transaksione janë bërë. Kjo përfaqëson një qarkullim 5.7 miliardë Euro, e që krahasuar me një vit më parë, është 36.5 për qind më shumë.

Prej më shumë se një milion kartelave në treg, pothuajse 835,000 janë karta debiti, në bazë të ShBK-së. Në vitin 2015, 16 milionë transaksione retail janë përfunduar; shumica ishin tërheqje nga ATM dhe pagesa përmes terminaleve POS.

Në panelin e diskutimit, Robert Wright, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të ShBK-së tha se fillimisht duhet bërë pyetjen se a është Kosova gati për këto shërbime. Duhet të kalojnë disa vite përderisa shoqëria tërësisht të pranoj shërbimet digjitale, meqenëse është sfidë serioze.

“Digjitalizimi i shërbimeve bankare sjell  ndryshime revolucionare. Unë mendoj se Kosova është e gatshme për këtë proces”, tha Wright.

Pastaj, Fehmi Mehmeti, zëvendës Guvernator i BQK-së  dha një përgjigje për formimin e Agjencisë Nacionale për Procesim si dhe përkushtimin që ka BQK-ja për avancimin e shërbimeve bankare.

“BQK-ja ka ndërmarrë iniciativën për themelimin e Agjencisë Nacionale për Procesim, e cila do të zvogëlonte koston e shërbimeve dhe do të shkurtonte koston e transaksioneve, përkatësisht të pagesave. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje në këtë drejtim, meqenëse shumë shpejt do të kemi edhe tenderin për këtë”, tha Mehmeti.

Zëvendës-Ministrja Besa Zogaj-Gashi, nga MZhE theksoi përpjekjet që po bëhen nga Qeveria në zhvillimin e teknologjisë së informacionit, e që ka ndikim të madh në promovimin e shërbimeve bankare.

“Ne kemi  hartuar strategjinë për teknologjinë informative, por njëkohësisht kemi edhe programin qeverisës, i cili i kushton rëndësi të veçantë  kësaj çështje. Kjo është me rëndësi, meqenëse bizneset janë të orientuara kah shfrytëzimi i saj,  kemi popullësi të re, e cila gjithnjë e më shumë po aftësohet për tregje të avancuara, por njëkohësisht kemi shkallë të lartë të shtrirjes së internetit dhe numër të madh të përdoruesve të tij”, tha zëvendësministrja Zogaj-Gashi.

Ndërkohë, Venera Hoxha, përfaqësuese e Finance in Motion – këshilltare e EFSE DF nënvizoi arritjet në Kosovë krahasuar me vendet e rajonit.

“Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova nuk është keq sa i përket sistemit bankar, mirëpo është larg vendeve të zhvilluara. Ndërkaq, edukimi, apo përgatitja për digjitalizim duhet të filloj nga grup-moshat e  reja. Meqenëse në Kosovë janë një milion përdorues të internetit, ndërsa kemi vetëm 200 përdorues të e-bankingut, kjo tregon se sa ka hapësirë për zhvillimin e shërbimeve digjitale”, tha Hoxha.”

Eriola Bibolli anëtare e Bordit të Drejtorëve në ProCredit Bank theksoj ndikimin që digjitalizimi i shërbimeve ka pasur në zhvillimin e përgjithshëm të bankave. Ajo vuri në dukje se zhvillimet teknologjike kanë nxitë bankat që të digjitalizojnë shërbimet e tyre.  Kjo sjell përfitime ekonomike, si optimizmi i kostos dhe shërbime më efikase ndaj klientëve.

“Aktualisht Kosova plotëson të gjitha kushtet për shërbime digjitale me standarde të larta evropiane. Madje, digjitalizimi nuk ka prekur vetëm klientët, por edhe vet bankat, të cilat kanë bërë ndryshime në përputhje me këto kërkesa”, theksoj Bibolli.

Gjatë diskutimit u parashtruan pyetje rreth përkujdesjes së bankave ndaj konsumatorëve, rreth të vërtetës për paratë virtuale dhe krimit kibernetik, lehtësitë dhe produktet bankare të destinuara për diasporën dhe nevojës që institucionet qeveritare të pajisen me POS terminale, në mënyrë që aty të ketë mundësi për pagesa me kartelë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme