Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet në një nivel tejet të lartë. Nga raportet dhe të gjeturat e fundit, thuhet se papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0%, krahasuar me meshkujt, 29.2%.
Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.3%.
Këtë e konfirmon edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skënder Reçica, i cili në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se referuar statistikave të MPMS-së, Kosova aktualisht ka rreth 108 mijë punëtorë të regjistruar si të papunë.
“Tashmë është e ditur që shkalla e papunësisë është e lartë në vend tash e konfirmuar edhe përmes ASK-së që është realisht mbi 30% ose referuar statistikave të MMPS ku ne kemi shënimet për punëkërkues të regjistruar në zyrat e punësimit dhe flasin realisht kemi rreth 108 mijë punëkërkues të regjistruar si të papunë të cilët janë të regjistruar në zyrat tona dhe të cilët përveç që janë të regjistruar si punëkërkues natyrisht që ata kanë kërkuar që në bazë të mundësive që ne i ofrojmë pjesa dërmues ose mos të them të gjithë kanë kërkuar edhe aftësim profesional ose riaftësim profesionale”.
Sipas Ministrit Reçica viti i kaluar është përmbyllur me një shkallë mjaftë të lartë të papunësisë. Sipas tij, 14 mijë vende të lira të punës u hapën vetëm vitin e kaluar, por që kanë munguar kuadrot e kualifikuar në mas qind për qind që të plotësohen ato vende të lira të punës.
“Pranë zyrat të punësimit bizneset kanë deponuar rreth 14 mijë vende të punës ka qenë numri më i madh i vendeve të punës që i kanë deklaruar. A thua kemi pasur punëtorë të kualifikuar çfarë kanë pasur këto biznese në bazë të atyre të deklarimeve të tyre për vende pune. Nuk ka pasur kuadro të kualifikuar në mas qind për qind që të plotësohen ato vende të lira të punës dhe në anën tjetër ka qenë hezitimi punëkërkuesit të kyçen në marrëdhënie punën posaçërisht në sektorin privat kur paga minimale është çfarë është me e ulëta në rajon, që nuk ka lëvizur që nga viti 2011”, tha Reçica.
Një çështje e ndjeshme në vendin tonë, aq sa është edhe papunësia, janë edhe rastet e vdekjeve në punë.
Ministri Reçica sa i përket kësaj teme shprehet se ka pasur raste kur bizneset apo punëdhënësit nuk e kanë marrë parasysh aplikimin e masave të sigurisë, problem ky që e ka shtyrë edhe MMPS-së që brenda një kohe të shkurtë, të pezullojë më shumë se 100 vendpunishte.
“Tani më ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë është një ligj i cili këtë vit ne duhet të fillojmë me plotësim-ndryshimin e tij sepse edhe në këtë ligj vërehet disa mangësi të cilat janë të paqarta sa i përket zbatimit në praktikë. Brenda një periudhe të shkurtë ne kemi pezulluar më shumë se 100 vendpunishte duke kërkuar që kriteret minimale siç janë të përcaktuara me ligj të zbatohen dhe kjo u ndërprit nga sektori i ndërtimtarisë”, tha Reçica.
Ministri Reçica thotë se legjislatura e kaluar e MPMS-së, nuk ka vendosur masa ndëshkimore sa i përket mos zbatimit të masave të sigurisë në vendin e punës, andaj ka pasur shumë neglizhenca edhe nga vetë punëdhënësit në këtë aspekt.
“Kur ne aplikuam masat mbrojtëse për siguri dhe shëndetin e punës në vitin e kaluar, ato skelet mbrojtëse, edhe përkundër që gjatë janarit e deri në tetor, kur ne po përpiqeshim që të bisedojmë me punëtorët por edhe punëdhënësit që duhet të ndërmerren masat e sigurisë, duhet respektohen ato kritere, sikur nuk e dhanë atë efektin që ne e donim, dhe kur ne pezulluam për 2 javë ditë më shumë se 100 vendpunishte, dhe ajo që unë u befasova nga bizneset është që nuk u ka kërkuar askush në të kaluarën dhe ska këmbëngulë askush që ato kritere duhet të jenë”.
Në këtë intervistë për Ekonomia Online, ministri Reçica foli edhe për statusin e viktimave seksuale, me ç’rast bëri të ditur se aktualisht janë 1000 aplikacione ku vetëm 450 prej tyre janë trajtuar.
Sipas Reçicës mos trajtimi i pjesës tjetër të këtyre rasteve ka ngecje pasi që shpeshherë komisioni detyrohet ta procedojë lëndën më shumë se një herë.
“Deri më tani janë mbi një mijë aplikacione dhe rreth 450 prej tyre janë trajtuar, mbi 550 janë të patrajtuara të cilat janë në procedurë, por vetë natyra e punës dhe trajtimit të këtyre rasteve ka kompleksitetin e vet dhe shpeshherë Komisioni duhet ma shumë se një herë lëndën ta merr për dore, po besoj që gjithë ato aplikacione që janë në pritje, komisioni i ka parasysh dhe ne jemi të vetëdijshëm që ky proces është stërzgjatur për vite e vite, po besoj që Komisioni e ka parasysh këtë fakt që brenda mundësive dhe procedurave që iu lejohet, të përshpejtojnë mundësinë e shqyrtimit të aplikacioneve për aq sa munden”.
Sa i përket shtesave për fëmijët, gjë për të cilën në fund të vitit të kaluar u miratua edhe një rezolutë që obligon institucionet për një veprim të tillë, Reçica tha se janë duke punuar që kjo cështje të rregullohet me ligj, që përfshihet edhe në reformën pensionale.
“Për shtesat e fëmijëve natyrisht se duhet t’i paraprijnë një adaptimi të një kornize ligjore të një baze ligjore dhe me reformën pensionale që ne e nisëm vitin e kaluar, kur ndër të tjera është menduar se nga ai koncept dokument që ne e hartuam përgjatë vitit të kaluar të krijohet edhe ligji për fonde për sigurime sociale. D.m.th krijohet fondi për sigurime sociale që është edhe një obligim që buron nga marrëveshja për stabilizim asociim, është menduar atje që në kuadër të atij fondi, një nga skemat që do të mbulohen nga ai fond të jetë edhe siguria dhe përkujdesja prindërore, që do të thotë se do të mbulohen fëmijët e atyre që punojnë”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës, vitin e kaluar e ka miratuar një rezolutë përmes së cilës parashihet që të ndahen shtesa prej 10 euro për fëmijët në Kosovë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç.
Sipas kësaj rezolute, ndarja e shtesave për fëmijët parashihet të nis gjatë këtij viti, megjithatë ende nuk dihet saktësisht se kur do të bëhet ndarja e mjeteve financiare për këtë çështje, ndërkaq e diskutueshme do të jetë edhe shuma e të hollave, pasi që pritet të ketë edhe kategorizim.