Kosova me 500 tituj në Tiranë, me gjithë procedurat administrative

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Në Tiranë sot hapet Panairi i Librit. Nga Kosova marrin pjesë 20 shtëpi botuese me rreth 500 tituj. Botuesit nga Kosova ankohen për procedura të ndërlikuara doganore.

Një ftesë e Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe lista me librat që bartin, janë dokumentet që u kërkohen shtëpive botuese të Shqipërisë për të marrë pjesë në Panairin e Librit në Prishtinë. Por krejt tjetër trajtim ka Shqipëria për shtëpitë botuese që dërgojnë libra në Panairin e Tiranës. Atyre u duhen dy ditë kohë për të arritur në Tiranë.

“Malli” duhet të dërgohet fillimisht në terminalin doganor të Prizrenit. Duhet kaluar procedurat kufitare, përfshirë edhe skanimin e mjetit transportues. Ndalesa e radhës duhet të bëhet në terminalin doganor të Vorës. Krejt kjo, sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës, merr kohë dhe ka kosto financiare.

Por pavarësisht procedurave administrative, botuesit nga Kosova do ta vazhdojnë traditën e pjesëmarrjes në ekspozitën më të madhe të librit në Shqipëri. Janë mbi 20 shtëpi botuese që do të vënë në dispozicion të lexuesve rreth 500 tituj që nga sot (e mërkurë), kur edhe hapet edicioni i 21-të i Panairi të Librit në Tiranë.

Pjesa më e madhe e shtëpive botuese nga Kosova prezantohen nëpërmjet Shoqatës së Botuesve, përderisa disa edhe me shtande të veta.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se duke pasur parasysh procedurat administrative, zakonisht librat nisen për në Tiranë dy ditë para hapjes së ngjarjes.

Zeneli ka treguar se në kuadër të shtandit të Shoqatës do të prezantohen botimet e Institutit të Historisë, atij Albanologjik e shtëpitë botuese si “Buzuku”, KOHA, “Pema”, “Dija”, “Titanic”, “Magjia e Librit”, “Mendimi Pozitiv”, “Meshari” e disa të tjera. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e shtëpitë botuese si “Faik Konica”, “Artini”, “Libri shkollor”, “Alb-Med”, “Efekos”, “OM” do të kenë shtandet e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme