Kosova ka borxhin më të ulët në rajon dhe renditet e parafundit në Evropë me 16.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke lënë pas Estoninë, transmeton EO.
Në rajon, Shqipëria ka borxhin më të lartë, së bashku me Malin e Zi, ndërsa Serbia, që dikur e kishte këtë tregues edhe më të lartë sesa Shqipëria, e ka ulur në 56.4% të PBB-së, Bosnja 38.6%.
Sipas publikimit të sotëm të Eurostat, në 2018-ën deficiti i qeverisë dhe borxhi në Eurozonë (EA19) dhe në BE u ul në terma relativë krahasuar me 2017-n. Në Eurozonë, norma e deficitit qeveritar ndaj PBB-së ra nga 1% në 2017-n në 0.5% në 2018-n, ndërsa në të gjitha vendet e BE-së nga 1% në 0.6%. Në Eurozonë, norma e borxhit të qeverisë ndaj PBB-së ra nga 87.1% në fund të 2017-s në 85.1% në fund të 2018-s, ndërsa në EU28 nga 81.7% në 80%.
Në vitin 2018, Luksemburgu (+ 2.4%), Bullgaria dhe Malta (+ 2.0%), Gjermania (+ 1.7%), Holanda (+ 1.5%), Greqia (+ 1.1%), Çekia dhe Suedia), Lituania dhe Sllovenia (+ 0,7%), Danimarka (+ 0,5%), Kroacia (+ 0,2%) dhe Austria (+ 0,1%) regjistruan një suficit qeveritar.
Dy shtete anëtare të BE-së kishin deficite më të larta se 3% të PBB-së: Rumania (-3,0%) dhe Qiproja (-4,8%).
Në fund të vitit 2018, normat më të ulëta të borxhit të qeverisë ndaj PBB-së u shënuan në Estoni (8.4%), Luksemburg (21.4%), Bullgari (22.6%), Çeki (32.7%), Danimarkë (34.1%) dhe Lituani (34.2 %).
Katërmbëdhjetë shtete anëtare kishin raportet e borxhit qeveritar mbi 60% të PBB-së, me numrin më të lartë të regjistruar në Greqi (181.1%), Itali (132.2%), Portugali (121.5%), Qipro (102.5%), Belgjikë (102.0% (98.4%) dhe Spanja (97.1%).
Në vitin 2018, shpenzimet qeveritare në Eurozonë ishin ekuivalente me 46.8% të PBB-së dhe të ardhurat e qeverisë në 46.3%.
Shifrat për të gjitha vendet e BE-së ishin përkatësisht 45.6% dhe 45.0%.
Në të dy zonat, raporti i shpenzimeve qeveritare ka rënë në mes 2017 dhe 2018, ndërsa raporti i të ardhurave qeveritare është rritur.