Përfaqësuesja e Kosovës do të duhet të përballet me Slloveninë pa shumë lojtarë të rëndësishëm, të cilët mungojnë për arsye të ndryshme.
Dardanët do të luajnë sot (e diel) ndaj Sllovenisë në kuadër të ndeshjes së pestë të grupit 3 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Ky takim është paraparë të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në stadiumin ‘Stozice’ të Lubjanës, ndërsa Kosova nuk ka gjasa matematike ta fitojë grupin.
Megjithatë, edhe rezultati pozitiv në këtë përballje do të jetë i vështirë, pasi trajneri Muharrem Sahiti do të duhet të bëjë pa shumë lojtarë.
Nëntë është numri i mungesave të Kosovës për përballjen ndaj Sllovenisë.
Herolind Shala, Benjamin Kololli, Bersant Celina, Idriz Voca, Florent Muslija, Arbër Zeneli, Betim Fazliji, Milot Rashica dhe Leart Paqarada do të mungojnë sot.
Shala dhe Kololli janë të suspenduar për kartonë, ndërsa Celina, Zeneli, Voca dhe Muslija mungojnë shkaku i lëndimeve.
Fazliji nuk do të mund të luaj shkaku i dokumentacionit, ndërsa Rashica dhe Paqarada nuk u lejuan nga klubet e tyre t’i bashkohen Kosovës. /Telegrafi