Kosova me TVSH-në më lartë në rajon për hoteleri dhe turizëm

Prishtinë | 01 Jan 2025 | 10:00 | Nga Gzim Mujaj

Sektori i Hotelerisë dhe Turizmit, gjatë vitit 2024 është përballur me TVSH-në më të lartë në rajon. Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT) ky sektor është përkrahur shumë pak nga shteti.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se sektori i hotelerisë dhe turizmit përballet me vështirësi që pas pandemisë, si dhe shumë biznese vazhdojnë të ballafaqohen me pasojat e asaj periudhe.

Ai shpreh shqetësim se shumë nga këto biznese nuk kanë marrë ende rehabilitimin e nevojshëm, duke theksuar se megjithatë kanë filluar të mbijetojnë në mënyrë të vetëfinancuar, sipas tij pa mbështetje nga shteti.

Po ashtu këto biznese hoteliere, ai thekson se janë duke u përballur edhe më TVSH “më të lartën në rajon”. 

Sogojeva ka thënë gjithashtu se zhvillimi i turizmit është një faktor kyç për rritjen e ekonomisë, por fatkeqësisht, qeveritë e kaluara dhe aktuale nuk e kanë kuptuar rëndësinë e tij.

Sektori i turizmit dhe hotelerisë janë sektorë që përballen me probleme të shumta, por Sogojeva përmend  sidomos mungesën e infrastrukturës të nevojshme, si; rrugët, energjia elektrike si dhe uji, pë të cilat thotë se janë përgjegjësi e shtetit.

“Ky sektor është shumë i ndjeshëm ende nga ato pasojat e pandemisë që i kemi pasur, ka për shembull biznese që ende nuk është te ai rehabilitimi që duhet me qenë. Megjithatë, nëse e krahasojmë me këto vitet e fundit kanë filluar që të marrin vetën edhe pse do të thotë krejt këto çka mbërrijnë në mënyrë vetanake, jo nga ndihma e shtetit, jo nga një dorë, e cila do duhej t’i përkrahte që ata të bëjnë një biznes më të mirë”, tha Sogojeva.

Në mungesë të ndihmës së shtetit, ai për EO thotë se bizneset hoteliere detyrohen që me mjetet e tyre të merren me infrastrukturën fizike, rrymën, ujësjellësin, në vend se këto, siç thotë ai të kryheshin nga shteti.

“Unë shpesh herë kam potencuar edhe në prononcimet tjera që fatkeqësisht edhe qeveritë e mëparshme, por edhe kjo sot nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e zhvillimit të turizmit, i cili është një motor, një indikator shumë i fuqishëm për zhvillimin e gjithmbarshëm të ekonomisë. Prandaj, duke mos marr masat, duke mos u afruar këtyre bizneseve, do të thotë, vetë bizneset kanë probleme nëse nisemi nga infrastruktura fizike, nuk e ka rrugën, nuk e ka rrymën, nuk e ka ujësjellësin. Këto i bënë vetë, në vend që t’i vendos ato pare në biznes, ai duhet që të merret me ato punë që shteti është dashur ti bëjë”, ka thënë ai. 

Kryetari i OHT-së ka thënë se hoteleritë në Kosovë paguajnë TVSH-në më të lartë në rajon sa i përket akomodimit.

“Pastaj ne kemi kërkuar shumë herë të zbritet, si dhe jemi duke u munduar që nesër, pas nesër të pritet edhe ndonjë masë, një reagim më i ashpër nga ne për shkak të TVSH-së. Për shkak se TVSH-ja në akomodim në krejt rajonin është 6 apo 7 për qind,  ne e kemi 18 për qind. Pse? Ende nuk kam marr përgjigje pse është kjo”, ka thënë ai. 

Përveç kësaj, Sogojeva theksoi se rreth 18.000 punëtorë janë të regjistruar në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, duke shtuar se Oda është angazhuar për t’i mbështetur bizneset dhe për të siguruar që kërkesat e tyre të dërgohen në institucionet përkatëse, qofshin ato lokale apo qendrore.

“Sillet diku rreth 18 mijë punëtor, të cilët janë të regjistruar. Ndoshta ka edhe disa që nuk janë regjistruar, por megjithatë sipas informatave është shifër e vogël e tyre. Janë 18 mijë punëtor që janë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Kështu që ne si Odë jemi duke bërë të pa mundurën që të u rrimë karshi këtyre bizneseve që të mund që kërkesat e tyre t’i dërgojnë deri në institucione, pavarësisht ato janë lokale apo qendrore”, ka thënë ai për EO. 

Të ngjashme