Kombëtarja e Kosovës në futboll, e ka mposhtur Izraelin, me rezultat 1-0, të dielën në “Fadil Vokrri”, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të kualifikueseve për Evropianin “Gjermania 2024”.
Përballja mes Dardanëve dhe izraelitëve, është luajtur në një terren të vështirë dhe në praninë e një numri jo të madh të tifozëve (rreth 5 mijë).
Kombëtarja jonë bëri ndeshje mjaft të mirë, ndonëse me disa mungesa të disa lojtarëve tonë për shkak të angazhimeve të tyre me klubet përkatëse.
Futbollistët e Kombëtares sonë në pjesën e parë, kishin iniciative në terren, e kërkuan më shumë golin të cilin e gjetën përmes Milot Rashicës në minutën e 41-të, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Edhe në pjesëlojën e dytë, Kombëtarja jonë u shfaq disa herë e rrezikshme, duke krijuar disa raste të mira përmes Vedat Muriqit, Milot Rashicës dhe Krasniqit, por që në momentet vendimtare nuk u treguan të sakta në rastet e krijuara.
Edhe skuadra mike më të gjitha forcat e kërkoi rrugën e golit, megjithatë, mbrojtja jonë assesi nuk u thye, raporton RTK.
Përfundimisht Kosova mund Izraelin me rezultat 1-0, dhe kjo është fitorja e dytë e Kombëtares sonë në këtë cikël të garave.
Kosova tani ka dhjetë pikë në vendin e katërt, një me pak se Izraeli, kurse, Rumania kryeson Grupin I me 16 pikë, një më shumë së Zvicra.
Kosova sfidën e radhës do ta luajë me 18 nëntor në Bazel kundër Zvicrës.
Kjo ndeshje e mbetur për kualifikimet Euro 2024 u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në Prishtinë, dhe ishte e para për kombëtaren izraelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.