Kosova ka marrë sot zyrtarisht në Bruksel kryesimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili do të jetë kryesues i CEFTA-s, me këtë rast ka thënë se Kosova do të luajë një rol konstruktiv gjatë kohës që do të udhëheq CEFTA-n. Ministri Hasani ka deklaruar se rëndësi të veçantë do t’i kushtojë implementimit të marrëveshjeve të deritashme dhe se do të përkushtohen në jetësimin e marrëveshje që pritet të arrihen në të ardhmen.
“Si ministër i qeverisë së Kosovës dhe kryesues i CEFTA ne do të angazhohemi maksimalisht për të kryer obligimet tona, për të realizuar objektivat tona dhe më e rëndësishmja gjatë këtij kryesimi e do të fokusohemi në implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe të marrëveshjeve që do të arrijmë në të ardhmen”, theksoi ministri Hasani.
Ai është shprehur se objektiv strategjik do të jetë Krijimi i Zonës Ekonomike Rajonale me Bazë të pajtueshmërisë me BE-së dhe Marrëveshjen e CEFTA për promovimin e investime përmes promovimit të tregtisë rajonale. Ministri Hasani ka deklaruar se Kosova gjatë kryesimit të CEFTA-s do të ketë një qasje të bashkëpunimi duke mos neglizhuar asnjërën palë të përfshirë në këtë marrëveshje.
“Gjatë vitit 2018 qasja e Kosovës do të jetë proaktive, ne do të punojmë që të sjellim të gjitha palën në tavolinë dhe të marrim vendime që shkojnë në favor të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit në BE si qëllim primar i vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Hasani.
Pas një hapi të tillë të kësaj rëndësie për vendin tonë në sferën e shkëmbit të mallrave dhe tregtisë së lirë me vendet pjesë të kësaj marrëveshjeje ministri Hasani i ka ftuar të gjitha palët për një bashkëpunim reciprok, pasi që kjo siç ka thënë Hasani shkon në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të këtyre vendeve.
Në kuadër të objektivit strategjik të lartpërmendur, kryesuesi i CEFTA-së për vitin 2018 do të ketë shtatë prioritete. Prioriteti i parë do të jetë lehtësimi i tregtisë së lirë në mallra. Harmonizimi i tregjeve të CEFTA-s me BE-në është prioriteti i dytë. Krijimi i një rajoni të lirë nga barrierat jo-tarifore dhe zgjidhja e kontesteve tregtare është prioriteti i tretë. Prioriteti i katër do të jetë lehtësimi i tregtisë së lirë në shërbime e lehtësimi i lëvizjes së lirë të ekspertëve dhe profesionistëve dhe punëtore të kualifikuar është prioriteti i pestë. Ndërsa i gjashti është Lëvizja e lirë e investimeve ndërsa i fundit për nga prioritetet është Forcimi institucional i Sekretariatit të CEFTAS-s.
Ndërsa, Myriam Ferran nga Komisioni Evropian ka thënë se pret bashkëpunim konstruktiv me Kosovën. Ajo ka thënë se ky është një test i madh për Kosovën dhe se duhet të fokusohen drejt një të ardhme të përbashkët në BE.
Kurse, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj ka thënë se kryesimi i CEFTA’s është një rast i mirë për Kosovën. AI ka thënë se ministri Hasani do të shtyj përpara prioritetet e caktuara. Nikaj ka thënë se shpreson në bashkëpunimin të ndërjelltë të palëve. Ndryshe Kosova është bërë pjesë e CEFTA-s në vitin 2006.
Kjo është hera e dytë që Kosova merr kryesimin e CEFTA’s, kryesim i cili ndryshon çdo vit me rotacion.