Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, njëherësh koordinator kombëtar për Aktin për Biznes të Vogël (ABV) përfaqëson Kosovën në takimin e lansimit të vlerësimit të “Aktit për Biznes të Vogël (ABV) për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2016-2019”.
Kjo konferncë po mbahet në Paris të Francës, e që është organizuar nga Organizata për Koordinim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Fillimisht Mustafa zhvilloi takim bilateral me përfaqësuesit e OECD-s, ku u diskutua rreth përgatitjeve të lansimit të ABV-së në Kosovë.
Po ashtu, Mustafa do të marrë pjesë në sesionin e dialogut rajonal mbi politikat e falimentimit dhe shanset e dyta, ku do të hulumtohet dhe diskutohet për praktikat më të mira në këtë fushë.
Vlerësimi i ABV mbulon dhjetë fusha të politikave të cilat përqendrohen në tema me rëndësi të veçantë për NVM-të. Ndër to veçohen: mësimi për ndërmarrësi, shërbimet mbështetëse, inovacioni dhe qasja në financa për NVM-të.
Në secilën nga këto fusha dhe për secilën ekonomi pjesëmarrëse, vlerësimi i ABV jep rezultate të hollësishme, analiza cilësore dhe rekomandime. Rezultatet dhe rekomandimet e vlerësimit ABV paraqiten në botimin e Indeksit të Politikave të OECD-së për NVM.
Takimet po zhvillohen nga data 12 deri 14 shtator 2017, në Paris të Francës.