Gjatë punimeve të Top Executive Programme të UEFA-s që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë, Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë programin për VAR, i cili do të fillojë të testohet në ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë si vendase.
Ndërsa në të ardhmen planifikohet fillimi i kësaj teknologjie edhe në kampionatin vendor, transmeton Klan Kosova.
Ndërkohë, gjatë këtij takimi presidenti i Federatës së Futbollit të Danimarkës, Jesper Møller, ka deklaruar se e ka marrë si mision që ta ndihmojë FFK-në, së bashku me institucionet shtetërore daneze.
“Me dëshirën që Kosova të vazhdojë këtë organizim të mirë dhe transparencë të FFK-së, por edhe me rezultate të mira të ekipeve kombëtare, shpreh të gjithë simpatinë time për presidentin Ademi dhe ekipin kombëtar si dhe gjithë popullin futbolldashës të Kosovës. Për këtë arsye kemi zgjedhur Kosovën që ta përkrahim në segmentet ku ajo ka nevojë”, ka theksuar presidenti i FF të Danimarkës, Jesper Møller, që është edhe anëtar i KE të UEFA-s.