Kosova mund ta humbasë momentumin për dialogun, nëse eskalon situata në Ukrainë

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë se vizita në Kosovë e të dërguarit special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, duhet të shihet si një lajm i mirë.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që një shtet jashtë Bashkimit Evropian, siç është Mbretëria e Bashkuar, e ka rikthyer kapacitetin në dialogun Kosovë-Serbi.

“Muajt e fundit kemi lëvizje të rëndësishme që e qartësojnë pozicionin e qendrave të vendimmarrjes lidhur me mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me epilog një marrëveshje përfundimtare. Unë e shoh si një sforcim të ndërmjetësimit ndërkombëtar involvimin direkt me caktimin e një emisari të Britanisë së Madhe”, ka thënë Gashi.

Gashi ka deklaruar se diplomacia britanike duhet të shihet në një linjë shumë të njëjtë më atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

Ai pohoi se Kosova nuk duhet të humbë momentumin që ka tani për dialogun, pasi sipas tij, nëse mund të ketë ndonjë ndryshim të situatës në Ukrainë, për një kohë do të mund të largohet fokusi i ndërkombëtarëve nga dialogu.

“Uroj që të na mjaftojë koha që dialogu të rikthehet në agjendën e këtyre tre qendrave dhe që të dinamizohet për ta shfrytëzuar atë momentun që në diplomaci është tepër i rëndësishëm. Para se të kemi ndonjë eskalim siç mund të ndodh shumë lehtë, sepse nga takimi i sotshëm i ministres së Jashtme britanike dhe ministrit rus u shpërfaq divergjenca e madhe që ekziston mes perëndimit edhe Rusisë lidhur me çështjen e Ukrainës”.

“Nëse do të kemi një përshkallëzim apo agravim të situatës atje duhet të jetë për t’u frikësuar Kosova mund ta humb këtë momentumin së paku për një kohë mund të mos jetë pjesë e fokusit dhe e agjendës evropiane. Mund ta zhvendos vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtarë për një kohë të pacaktuar dhe kjo nuk është e mirë. Involvimi i Britanisë së Madhe në këtë kapacitet në zgjidhjen e raporteve Kosovë-Serbi përmes dialogut është për t’u përshëndetur”, ka thënë Gashi.

Të ngjashme