“Kosova mundet ma mirë” nuk është slogan vetëm i një partie

Prishtinë | 04 Nën 2024 | 19:15 | Nga Artan Behrami

Diçka për sloganin e PDK-së!

Asnjë parti nuk i fiton zgjedhjet me slogane! Të gjitha sloganet politike janë të interpretueshme. Sloganet krijohen për të orientuar përkrahësit rreth programit që ofron një parti politike.

Si dikush që ka studiuar Komunikim Politik, që ka punuar në fushata zgjedhore që nga viti 2009, sloganet në shumicën e rasteve janë pozitive, thërrasin për shpresë, për unitet, për ndryshim, për reformë. Ato gjithmonë ndërtohen duke analizuar imazhin dhe partitë, potencialin e kandidatit, rrethanat politike, diskursin publik, oponentët etj.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në dy dekadat e fundit kanë gërryer thellë në këtë shoqëri, duke nxjerrë në sipërfaqe urrejtjen, çmendurinë, padurimin, histerinë që çdo popull e shfaq kur në krye ka njerëz të çmendur. Ata kanë hasmëruar familje, miqtë, partitë – gjithë shoqërinë.

Slogani i PDK-së nuk është detyrë vetëm për PDK-në, por për Kosovën! Ka njerëz që mendojnë njëjtë si Kurti dhe Osmani. Kërkojnë një slogan që tregon se çfarë ka shkuar keq dhe nuk japin përgjigje se çka mundet më mirë!

Prandaj, slogani i Bedri Hamzës fton qytetarët për unifikim, për ndryshim, për reformë, për transformim, për shpresë së Kosova mundet më mirë! Ky slogan sulmon po ashtu përcaktimin artificial që është ndërtuar se Albin Kurti qenka shpresa e fundit! Slogani nuk është një antipod i “Krejt dhe Drejt”, që iu ka dedikuar vetëm një lloji të caktuar të votuesve.

Rrjedhimit, “Kosova mundet ma mirë” nuk është kundër votuesve të VV-së, të LDK-së, AAK-së etj. Në fakt slogani iu bën pikërisht thirrje edhe atyre që t’i bashkohen vizionit të Bedri Hamzës. Slogani amniston edhe ata që tashmë janë bindur se kanë bërë gabim të madh që kanë votuar Kurtin. I fton ata në një mes, ku ndërrimi i votës nuk do të shihet si tradhti, por si ndryshim racional. Pra, slogani nuk është përjashtues, nuk është radikal, por përbashkues që synon unifikimin e qytetarëve!

Qytetarët e Kosovës kanë prioritete, nevoja krejtësisht tjera-të ndryshme prej asaj që prodhon urrejtja e verbër!

Pra, “Kosova mundet ma mirë” nuk është slogan i një partie, por i një populli, të cilit i bëhet ftesë të bashkohen rreth vizionit që Kosovën e bëjnë vend më të mirë, shtet më të mirë, aleat më të mirë!

Në fakt, një video që u lëshua në Konventë e shpjegoi më së miri sloganin e Bedri Hamzës. Aty, mjekë, studentë, mësimdhënës, qytetarë shpjegojnë se çfarë nënkupton “ma mirë” për ta!

Që dy dekada partitë politike na ligjërojnë se çfarë është keq, për t’i ikur pyetjes përcaktuese: “Çfarë mundemi të bëjmë ma mirë”?

Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë!

Bedri Hamza ka hyrë me shumë vetëbesim në këtë garë, duke ofruar një platformë që pritet të dëshmojë se “Kosova mundet ma mirë”.

Të ngjashme