Kosova në mes të rritjes “digjitale” dhe ikjes “kolosale”

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 20:24 | Nga Arsim Ajeti

Nuk është lojë me fjalë, e as ndonje aforizëm. Titulli është vetëm një hyrje në realitetin tonë të çuditshëm. Në njërën anë kemi disa arritje të jashtëzakonshme, siç janë shërbimet e TIK (Teknologjia informative dhe e Komunikimit) dhe tjetra me dukurinë në rritje të migrimit, ku vetëm në tremujorin e fundi, kemi mbi 100 000 aplikime për viza pune, në Gjermani, Slloveni e disa vende skandinave, statistika këto nga mediumi europian – Euroaktiva.

Kohë më parë Kosova shenoi një rritje, në cilësi dhe shitje me të cilën mund të mburremi. Talnentmg raportoi për jo vetëm rritje në shitje që vlerësohet të jetë mbi 100 milion euro për vitin 2021, por edhe rritje në punësim në sektorin e TI-së dhe atë të komunikimit.

Në anën tjetër, kemi një trend në rritje të migrimit legal apo të migrimit për punë të caktuar kontraktuale. Vetëm gjatë muajit janar janë shënuar mbi 50.000 aplikime në Ambasadën Gjermane.

Shtrohet pyetja pse aq numër i madh dëshiron të ikë nga Kosova për një vend pune, (kur sektori I TI-së shënon rritje) dhe ka potencial për shumë prurje të reja me një rrogë mbi mesatare?!

Sa i kemi kushtuar rëndësi edukimit të gjeneratave të reja në këtë lëmi?

Sa ka kontribuar Qeveria, me planprogram konkret, në këto 11 vitet e fundit? Besoj përgjegjen e gjeni vetë.

Prandaj paradoksalisht, ‘fajtori’ kryesor ndër të tjera mund ta gjejmë, në atë që të gjithë apriori mbajmë shpresa, e ajo eshtë politika …e cila për dekada e ka zhytur ekonominë dhe perspektivën europiane te Kosovës në pikën zero, dhe në menyrë indirekte ka ndikuar në humbjen e shpresës për shumë të rinj dhe të reja, te cilët mundësinë e vetme e shohin në tregun e jashëm.

Ndërsa, Kosova zyrtarisht ka numrin më të lartë të papunësisë në Ballkanin Perëndimor, (mbi 25%) sipas statistikave të Institutit të Statistikave të Kosovës, (25.9% *anketimi i realizuar gjatë 2020/21)

Por, punësimi në sektorin e TI-së u rrit në mënyrë eksponenciale (nga 14,000 në 2017) në një total prej 20,000 në vitin 2021.

Indikative për t’u theksuar është se shkalla më e lartë e papunësisë është në grupmoshën 16-24 vjeç (49.1%).

Përderisa, sektori i TI-së ka një moshë mesatare të punonjësve rreth 24 vjeç, nga të cilët 61% janë meshkuj dhe 39% janë femra, (*sipas statistikave tona që mbulojnë periudhën katërvjeçare)

Si Konkuzion:

Ky është tregues i qartë, që të rinjtë kosovarë janë me të vërtetë njohës të teknologjisë, dhe patjetër duhet bërë më shumë nga perspektiva e politikave sociale duke rivlerësuar të gjithë skemën e punësimit si dhe vëmendjen e menjëhershme të strukturës qeveritare, dhe OJQ-ve në këtë aspekt.

Ndërkohë që sektori i IT po lulëzon, brezi i ri po migron, jo për shkak të ndonjë persekutimi apo mungesës së aftësive apo njohurive, por për një pagë më të mirë.

E tëra kjo nga papjekuria apo ‘impotenca’ politike që ka pllakosur vendin për dekada, për t’ia humbur shpresat popullit të vet, ironike apo jo!

Disa statistika për fund:

Përdorimi i internetit në Kosovë në vitin 2022;

  • Në janar të vitit 2022 në Kosovë kishte rreth 1.72 milionë përdorues të internetit.
  • Shkalla e penetrimit të internetit në Kosovë ishte 97.0 për qind e popullsisë së përgjithshme në fillim të vitit 2022,
    Ndërsa,
    Statistikat e mediave sociale për Kosovën në vitin 2022
  • Në janar të vitit 2022 në Kosovë kishte 1.04 milionë përdorues të mediave sociale.
  • Numri i përdoruesve të mediave sociale në Kosovë në fillim të vitit 2022 ishte i barabartë me 58.5 për qind të popullsisë së përgjithshme, por është e rëndësishme të theksohet se përdoruesit e mediave sociale mund të mos përfaqësojnë individë unikë, sipas të dhënave nga datareportal

(Autori është konsulent dhe editor i thejorunalbiz.com)

Të ngjashme