Kosova në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare “IMO Rusia 2020”

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Më 01 shkurt 2020, do të mbahet Olimpiada XII Matematike e Kosovës – OMK 2020. Nga Olimpiada Matematike e Kosovës përzgjidhet ekipi prej 6 nxënësve që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 60-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2020, e cila do të mbahet në St. Petersburg, në Rusi, prej datës 08. 07. 2020 deri më datën 18. 07. 2020, ku Kosova merr pjesë për herë të dhjetë në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.

Po ashtu, nga Olimpiada Matematike e Kosovës përzgjedhet ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Garat Evropiane të Matematikës për Vajza (angl. European Girls Mathematical Competition – EGMO), e cila do të mbahet në qytetin Egmond aan Zee, në Holandë, prej datës 15.04.2020 deri më datën 21.04.2020.

Olimpiada Matematike e Kosovës mbahet për nxënësit e klasave të 9-ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta. Në Olimpiadën Matematike të Kosovës marrin pjesë të gjitha vendet e para dhe të dyta të klasave të 9-ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta, të të gjitha komunave të vogla. Nga qendrat rajonale (Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj) marrin pjesë të gjitha vendet e para, të dyta dhe të treta (d.m.th. nga tre nxënës nga secila klasë). Nga Prishtina marrin pjesë vendet e para, të dyta, të treta dhe të katërta. Gjimnazi i Specializuar i Matematikës, si gjimnaz i veçantë dhe nacional organizon gara të brendshme dhe merr pjesë me 4 vendet e para për secilën kategori.

Përfaqësuesit (garuesit) e secilës shkollë përzgjedhen në Olimpiadat Matematike Shkollore të cilat mbahen jo më vonë se më 23 janar 2020. Përgjegjës për planifikimin, organizimin, mbështetjen financiare dhe menaxhimin e olimpiadave matematike shkollore do të jenë Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Përfaqësuesit (garuesit) e secilës komunë përzgjedhen në Olimpiadat Matematike Komunale që mbahen në tërë Kosovën, më 25 janar 2020 në orarin 11:00-13:00. Komunat ftohen që listën e nxënësve të përzgjedhur për Olimpiadën Matematike të Kosovës ta dërgojnë në adresën elektronike të shoqatës [email protected]), jo më vonë se më 27 janar 2020. Testet e OMK-së do të bazohen në standardin e arritshmërisë së gjimnazit, drejtimi shkencor, të klasës përkatëse si dhe në testet e ngjashme të Olimpiadave Ndërkombëtare të Matematikës.

Olimpiada XII Matematike e Kosovës do të mbahet në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë (Rr. Tahir Zajmi, Nr. 65, Kalabri). Drejtoria e këtij gjimnazi ka shprehur gatishmërinë për sigurimin e lokaleve dhe kushteve të nevojshme teknike për mbajtjen e OMK-së.

Secila drejtori komunale e arsimit duhet ta caktojë një person përgjegjës për organizimin e Olimpiadës Matematike Komunale, pastaj të dhënat e personit përgjegjës (emrin, mbiemrin, numrin e telefonit celular ose fiks dhe e-malin) duhet t’i dërgojnë te kryetari i Shoqatës së Matematikanëve, Dr. Armend Shabani ([email protected]) (jo më vonë se 20 janar 2020).

Secila komunë organizimin e Olimpiadës Matematike Komunale duhet ta bëjë në koordinim me Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës. Shoqata është përgjegjëse për përpilimin e testeve të olimpiadave komunale. Për formën, formatin dhe mënyrën e koordinimit ndërmjet Shoqatës dhe Drejtorive Komunale të Arsimit do t’i informojmë personat përgjegjës të caktuar nga drejtoritë komunale të arsimit.

Në webfaqen e shoqatës http://kms-ks.org/omk mund të shkarkohen materiale dhe linqe për përgatitje të olimpiadave.

Datat e rëndësishme:
– 23 janar 2020 – data e fundit për të organizuar garat në shkolla
– 25 janar 2020 – garat në komuna
– 27 janar 2020 – data e fundit për të dërguar emrat e garuesëve nga komunat (kontakti: [email protected]
– 01 shkurt 2020 – OMK – 2020 në Prishtinë (Në lokalet e Gjimnazit të Specializuar
Matematikor, në ora 10:15).
– 08 shkurt 2020 – Testi për Përzgjedhjen e Ekipit (TST) në Prishtinë (Në lokalet e Gjimnazit të Specializuar Matematikor, në ora 10:00).

Të ngjashme