Kosova është në vendin e 100-të në botë, për nga fuqia e pasaportës, pasi qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza në vetëm 41 vende.
Ky është rezultati i një hulumtimi të kompanisë ‘Henley Passport Index”, që flet për fuqinë e pasaportave të shteteve të botës, bazuar në ‘lirinë e lëvizjes së bartësit të një pasaporte në shtete të ndryshme, pa pasur nevojë për vizë’.
Pas Kosovës, në vendin e 101, janë Bangladeshi, Eritrea, Libani dhe Korea Veriore.
Nga vendet e rajonit, Serbia është në vendin e 41-të, qytetarët e së cilës mund të udhëtojnë pa viza në 131 vende, Mali i Zi i 47-ti me 122 vende, Maqedonia e Veriut në vendin 46-të, qytetarët e së cilës mund të lëvizin pa viza në 123 vende, Bosne dhe Hercegovina renditet 51-ta me 116 vende, dhe Shqipëria në pozitën e 52-të me 113 vende.
Në vendin e 109-të, dhe të fundit në listë renditet Afganistani, transmeton REL. Qytetarët e këtij vendi mund të udhëtojnë pa viza në vetëm në 25 vende.
Pasaportat më të fuqishme në botë, sipas kësaj organizate, janë të Japonisë dhe Singaporit, pasi qytetarët e këtyre vendeve mund të udhëtojnë pa viza në 189 destinacione.
Rezultatet e këtij hulumtimi janë bazuar në të dhënat ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror.