Shtensionimi i situatës në veri ka nisur dhe është hapur rruga për rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve për normalizim. Gjermania konsideron se Kosova e ka bërë hapin e saj dhe tash pritet që Serbia të lëvizë dhe të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Kosova dhe Serbia duket se do t’i rikthehen dialogut pas marrëveshjes së arritur për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Një takim jozyrtar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën e prodhoi një marrëveshje që synon ta rikthejë njëfarë normaliteti në veri dhe do t’i hapë rrugë bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi Petar Petkoviq janë ftuar nga emisari europian, Miroslav Lajçak që të shkojnë javën e ardhshme në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ftesa është përfshirë në marrëveshjen për shtensionim.
“Emisari i ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme për t’i vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë që zbatimi i plotë i Marrëveshjes të fillojë pa vonesë të mëtejshme”, i tha Gazetës Express zyrtarja për shtyp e BE-së, Zoï Muletier.
Qeveria e Kosovës tha mbrëmë se në rast se Bislimi dhe Petkoviq merren vesh, do të nis zbatimi.
“BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”, u tha në komunikatën e ZKM-së.
Data e takimit nuk është caktuar ende.
“Sa i përket takimit, kur të caktohet një i tillë, do iu informojmë me kohë”, i tha Gazetës Express Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Vetë Bislimi shkroi në Facebook se Kosova ka vullnet dhe konstruktivitet në dialog dhe se këtë po e dëshmojnë. Ai tha se “ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara”.
“Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar”, shkroi Bislimi.
Gjermania: Serbia të zotohet qartë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit
Gjermania pret tash që edhe Serbia të kontribuojë në shtensionimin e situatës dhe të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Ashtu siç pritej nga Kosova, ne presim që Serbia të kontribuojë në mënyrë aktive në de-përshkallëzimin. Serbia duhet ta bëjë një zotim të qartë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën ra dakord në fillim të këtij viti, dhe të mos e vërë në pikëpyetje vlefshmërinë dhe natyrën e saj detyruese”, i tha Gazetës Express një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.