Në seancën e sotme gjyqësore ndaj shtetasit turk, Ugur Toksoy, i dyshuar për pjesëmarrje në grushtshtetin në Turqi, në mungesë të provave është tërhequr kërkesa për ekstradimin e tij.
Turqia nuk ka ofruar prova shtesë sipas prokurorit, Ali Rexha, dhe sipas tij ato që kanë qenë në fillim kanë qenë të mangëta, raporton KTV.
“Në mungesë të provave materiale, tani për tani tërheq kërkesën për ekstradim”, ka thënë Rexha.
Toksoy ishte arrestuar në fund të muajit tetor, por ishte liruar nga paraburgimi me dorëzani. Jo zyrtarisht merret vesh se në seancë, ka edhe përfaqësues të Ambasadës Turke në Kosovë.
Rasti i tij është i pari në Kosovë, kur një shtetas turk është arrestuar me dyshimin si pjesë e grushtshtetit në Turqi, dhe lidhje me organizatën e Fetullah Gulenit.
Kryetarja e trupit gjykues Alltene Murseli, e ka mbyllur seancën.