Sot në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja Anti-Covid. Një ndër masat e vendosur është edhe ajo që të gjithë qytetarët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë. Por një gjë e tillë nuk vlen edhe për lëvizjet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi ka konfirmuar se qytetarët e Kosovës që shkojnë në Shqipëri nuk kanë nevojë që kur të kthehen t’i paraqesin testet PCR e as të karantinohen për një javë.
Ai tha se pas komunikimeve që ka pasur me autoritetet në Kosovë është siguruar se në mes të dy shteteve fqinje do të vlejë parimi i reciprocitetit.
“Kam biseduar për autoritetet në Kosovë dhe jam siguruar se do të vlejë parimi i reciprocitetit edhe në këtë rast. Pra, ashtu sikur që Shqipëria nuk u kërkon teste shtetasve kosovarë në kufij, ashtu as Kosova nuk do të kërkojë teste për shtetasit shqiptarë që hynë në Kosovë”, ka thënë ai.
Minxhozi më tutje konfirmoi për Express se nuk do të ketë nevojë për teste PCR për lëvizjet e qytetarëve në kufirin Kosovë-Shqipëri.
“Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë apo i Republikës së Kosovës që kthehet në Kosovë nuk bënë test e as të karantinohet. Pra, nuk ka nevojë për një test për të lëvizur në kufirin Kosovë-Shqipëri”, ka bërë të ditur ai.
Qeveria e Kosovës të hënën mori masa të reja kundër përhapjes së COVID-19. Prej sot do të ketë orë policore nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit.
Po ashtu gastronomia do të jetë e mbyllur për 11 ditë duke filluar nga sot deri me 18 prill 20121, ato do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimin “Take aëay”.
Institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do të kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 7 deri më 18 prill.
Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë.
Mbyllen qendrat tregtare nga 7 deri më 18 prill.
Transporti publik lejohet të punojnë me 50% të kapacitetit.
Mbyllen fitneset, lejohen vetëm në ambiente të hapura.