Për herë të parë, Kosova do të jetë nikoqire e Javës Evropiane të Sportit, nga 23 deri 30 shtator të këtij viti. Kjo iniciativë e Komisionit Evropian për të promovuar sportin dhe aktivitetin fizik në tërë Evropën, sivjet do të organizohet për herë të parë edhe në Kosovë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si përgjegjëse kryesore e zbatimit të politikave dhe organizimit të sportit në Republikën e Kosovës është bartësja dhe kryesuesja e këtij procesi.
MKRS ka themeluar Trupën Kombëtare Koordinuese për Organizimin dhe mbarëvajtjen e Javës Evropiane të Sportit në vendin tonë. Ekipi do të jetë në përbërje të: Daut Thaqi – Këshilltar Politik për sport – kryesues; Ibër Alaj – Udhëheqës i Departamentit të Sportit – anëtar; Shasivar Haxhijaj – Sekretar i Përgjithshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës – anëtar; Njomza Emini – Komiteti Para Olimpik i Kosovës – anëtare; Brikena Mulliqi – Gashi – Udhëheqëse e Departamentit të Integrimeve Evropiane – anëtare; Feim Hoxha – Udhëheqës i Departamentit Ligjor – anëtar.
Në vazhdën e takimeve, kjo trupë në këtë fazë fillestare, është mbledhur sot, për planifikimin e agjendës së kësaj jave e cila do të organizohet edhe në Kosovë. Ndër çështjet që u diskutuan në këtë takim të parë ishin federatat të cilat do të marrin pjesë me aktivitetet e tyre në këtë javë, lokacionet nëpër qytete të ndryshme të Kosovës ku do të mbahen këto aktivitete dhe detaje tjera që cilat mbeten të sqarohen më tej në takimet e radhës që kjo trupë do të mbajë.
Në kuadër të Javës, përpos aktiviteteve të ndryshme sportive të natyrës garuese e fizike, do të organizohen edhe konferenca shkencore dhe seminare të ndryshme që kanë të bëjnë me edukimin sportiv, masivizimin dhe jetën e shëndetshme që ofron aktiviteti sportiv.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë mbështetësja kryesore e Javës Evropiane të Sportit në Kosovë.
Java është organizuar në 32 vende deri më tani, me mbi 34 mijë ngjarje dhe 10 milion njerëz që kanë marrë pjesë në ngjarje të ndryshme.