Diplomacia e Kosovës ka pësuar regres dhe stagnim gjatë mandatit të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke mos arritur të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve dhe nevojat strategjike të vendit, kanë vlerësuar analistët politikë në vend, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, për katër vite nën udhëheqjen e qeverisë aktuale, vendi nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje të re dhe ka pasur shumë sfida në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Sipas politologut Albinot Maloku, një nga arsyet kryesore të dështimeve diplomatike është mungesa e një vizioni strategjik nga Ministrja Gërvalla dhe ndikimi i çështjeve të brendshme, veçanërisht dialogu me Serbinë, siç u shpreh për Ekonomia Online.
“Diplomacia e Kosovës gjatë mandatit të Gërvallës, si ministre e Jashtme dhe shefe e diplomacisë, ka pësuar regres dhe stagnim, të cilin Kosova nuk e ka merituar. Kjo ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, fillimisht nga mungesa e një vizioni strategjik të mirëfilltë nga ana e ministres dhe pastaj nga ndikimi i çështjeve të brendshme, si pasojë e dialogut që ka imponuar këtë rrjedhë ngjarjesh në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai theksoi se gjatë këtij mandati, Kosova nuk ka arritur të ketë rezultate të dukshme në fuqizimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
“Në rrafshin diplomatik, Kosova nuk ka për çfarë të krenohet gjatë këtij mandati. Shpresoj që në qeverinë e ardhshme të ketë një vizion tjetër, pa marrë parasysh kush do të jetë në qeveri, pasi i gjithë ky stagnim dhe regres është i padurueshëm për nevojat e Kosovës, sidomos në sektorët e njohjes së shtetit dhe fuqizimin e faktorizimit të saj ndërkombëtar. Çdo shtet duhet të ketë një tregues të tillë themelor: faktorizimin e tij në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Analisti politik, Afrim Kasolli, potencoi se mungesa e njohjeve të reja ndërkombëtare dhe dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës janë dëshmi e dështimit diplomatik të këtij mandati.
Ai vuri në dukje se Kosova ka dështuar të kapitalizojë edhe rastet kur mund të kishte përfitime diplomatike, si në rastet e sulmeve në veri, në Banjskë dhe Ibër-Lepenc.
“Kanë munguar sukseset diplomatike, dhe kjo është evidente. Kosova nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, ka dështuar, edhe pse ishte shumë afër, të realizojë me sukses anëtarësimin në Këshillin e Evropës, organizatën më të vjetër evropiane. Vendi vazhdon të ndodhet nën masa sanksionuese, që janë si pasojë e veprimeve të brendshme, por që gjithashtu janë reflektim i dështimit diplomatik të qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kohë pas kohe, deklarata të skandaloze të ministres së Punëve të Jashtme kanë shoqëruar raportet me vendet partnere ndërkombëtare. Deri më tani, Kosova nuk ka arritur të shndërrojë asnjë prej dy rasteve të mundshme përfitimi diplomatik, siç kanë qenë sulmi në fshatin Banjsk dhe sulmi në Ibër-Lepenc. Përkundër kësaj, Kosova nuk ka arritur ta përkthejë këtë agresion në një avantazh diplomatik, që reflekton një dështim të shtetit”, ka thënë ai.
Kasolli për Ekonomia Online gjithashtu theksoi shqetësimet për marrëdhëniet e tensionuara me aleatët perëndimorë, duke përfshirë edhe kritikat nga zyrtarët e lartë të administratës amerikane.
Ai tha se qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me sfida të mëdha në fushën diplomatike.
“Duhet të përmendim marrëdhëniet e tensionuara me aleatët perëndimorë, veçanërisht deklaratat shqetësuese të zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, se Kosova, me sjelljet dhe veprimet e saj, po ia pamundëson ShBA-së të lobojë në arenën ndërkombëtare. Ky mandat në këtë sferë ka qenë i pasuksesshëm dhe ka qenë karakterizuar nga dështime të theksuara diplomatike. Çdo qeveri që do të krijohet duhet të ketë parasysh se do të përballet me një sfidë të madhe në këtë drejtim, për shkak se Kosova, edhe pas këtyre zgjedhjeve, do të ketë detyrime të paplotësuara në raport me obligimet që ka marrë në procesin e dialogut në Bruksel. Pavarësisht se kush e krijon qeverinë dhe kush bëhet kryeministër, Kosova ka obligim që të gjejë një rrugëzgjidhje nga kjo bllokadë, e cila ka penguar përmirësimin e pozicionit të saj ndërkombëtar”, ka thënë ai për Ekonomia Online.