Kosova para 36 viteve, daulle lufte të Serbisë në ditën e Vidovdanit

Prishtinë | 27 Qer 2025 | 17:13 | Nga Behlul Jashari

-Para 36 viteve, pikërisht në 28 Qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, u binte daulleve të luftës…/

Raportime që i bëja në 28 Qershor 1998 nga Kosova në luftë…

PRISHTINË, Qershor 2025/ Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia festojnë Vidovdanin, të mbledhur në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu përvjetorin e Betejës së Kosovës.

Edhe me manifestime tjera, në çdo 28 Qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin 1389, e cila ishte humbur.

Në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në 28 Qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, edhe Kosovën, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

“Ne ishim të guximshëm e dinjitozë. Tani, gjashtë shekuj më vonë, ne sërish jemi në betejë. Nuk janë këto beteja të armatosura, por ato nuk mund të përjashtohen”, thoshte Milosheviç në fushën e Kosovës në Gazimestan.

E “betejat” e Milosheviçit kundër Kosovës – shqiptarëve ishin të nisura. Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Edhe gjatë viteve të tjera, në ditën e Vidovdanit në Kosovë grupe ekstremiste të serbëve kanë manifestuar edhe provokacione, në forma të ndryshme. Është parë edhe se numri i pjesëmarrëve në manifestime të tilla me provokime është më i paktë nga viti në vit…

Të ngjashme