Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitim Uka, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën e presidentit Ricardo Baptista Leite për të qenë anëtar i UNITE (Rrjetit të deputetëve botëror kundër sëmundjeve infektive), në këtë periudhë të vështirë që po kalon Kosova në ballafaqim me pandeminë COVID-19.
Sipas tij, Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në një rrjet të tillë të deputetëve që kanë për qëllim t’i japin fund sëmundjeve infektive, dhe do të jetë anëtarja e parë nga Ballkani Perëndimor në UNITE, njofton Klan Kosova.
“Poashtu, do të kem kënaqësinë që të prezantoj Kosovën edhe në samitin botëror të UNITE që organizohet me 7 dhe 8 shtator të këtij viti, ku do të marrin pjesë Minsitri Gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe ish Sekretarja Amerikane e Shëndetësisë, Donna Shalala”.
“Jam i bindur që në mesin e 125 deputetëve nga e gjithë bota do të kem mundësinë që të përfitoj nga përvojat e suksesshme të vendeve të tjera dhe të jap kontributin tim modest për shëndetin në nivel global”.