Me kualifikim në Botëror, Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll tashmë ka bërë histori.
Por djemtë tanë kanë synime edhe për Botërorin që prej të martës mbahet në Spanjë, ndonëse janë të vetëdijshëm se kundërshtarët janë shumë të fortë.
Në Botëror nuk mund të shpresohet për kundërshtarë të dobtë, por djemtë tanë po përgatiten për të bërë befasi.
Që në fillim, Kosova U21 do të ketë punë shumë të vështirë. Në kuadër të grupit C, të martën nga ora 17:00 luhet ndeshja Kroacia – Kosova. Ndeshja luhet në Pontevedra të Spanjës, që së bashku me Vigon janë qytete nikoqire të botërorit të 22-të të juniorëve, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.
Kroacia e ka hendbollin shumë të zhvilluar. Kështu në Botërorin e juniorëve, Kroacia ka synime për medalje.
Gjenerata aktuale e juniorëve të Kroacisë ka suksese të shumta si: medalja e argjendtë në kampionatin evropian për të rinjë, vendi i katërt në kampionatin botëror për të rinjë dhe vendi i gjashtë në kampionatin evropian për juniorë.
Kroacia është favorit ndaj Kombëtares tonë, por djemtë tanë do të japim maksimumin në lojë.Kur luhet me zemër për ngjyrat e shtetit dhe kur përgatitjet janë të duhura, befasitë janë të mundshme.
Kroacia në grupmoshën e juniorëve deri më tani shtatë herë ka luajtur në kampionate botërore.
Dy herë ka luajtur për medalje të bronztë, por ka humbur. Në vitin 2007 pësoi nga Danimarka e gjashtë vite më vonë nga Franca.