Kosova përballet me disa sfida për ta zbatuar agjendën mjedisore

Prishtinë | 30 Jan 2025 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Ka ndryshime pozitive në aspektin e mjedisit në Kosovë, por ka dhe shumë punë për t’u bërë, sidomos nga ana e institucioneve për të plotësuar mungesën e kuadrit në dobi të zhvillimit të agjendës së gjelbër, ka thënë Venhar Nushi, në edicionin e dytë të Forumit të Gjelbër, në kuadër të projektit “Kosovo Green Action” që po mbahet në Prishtinë.

Nushi ka njoftuar se janë në prag të hartimit të politikave duke përfshirë këtu dhe energjinë.

“Në aspektin e energjisë tashmë kemi strategjinë e cila është duke u implementuar. Në prag janë dhe disa strategji të tjera që pritet të miratohen përfshirë dhe strategjinë e mjedisit”, tha Nushi.

Në aspektin e politikave, ai theksoi se tashmë kanë një vizion se ku duan të arrijnë, bazuar sipas tij dhe në disa kërkesa të BEs-ë dhe dokumente, si dhe agjendën e gjelbër një prej tyre.

Nushi ka pëmendur se sfidë e madhe në aspektin e mjedisit mbetet mungesa e kuadrit adekuat.

“Ka mungesë të kapaciteteve njerëzore në institucionet tona, shpresojmë të eliminojmë këto njerëzore dhe të merremi pastaj me kapacitetet tjera”, tha Nushi duke theksuar edhe aspektin buxhetor, që po ashtu ai tha se është një pengesë.

“Në aspektin buxhetor është një pengesë e cila kur institucionet planifikojnë buxhetin nuk parashohin buxhetin për implementimin e strategjive për mjedis”, tha Nushi në këtë konferencë.

Sfidë, ai ka theksuar edhe matjen e indikatorëve. “Sfidë është dhe matja e indikatorëve, duhet të kemi sistem në matjen e indikatorëve në aspektin e mjedisit në kohë reale”, tha Nushi.

Edicionit i dytë i Forumit të Gjelbër, organizuar në kuadër të projektit “Kosovo Green Action”, implementohet nga Balkan Green Foundation në partneritet me Open Data Kosovo dhe Lëvizja FOL. Ky projekt mbështetet nga Banka Botërore përmes Partneriteti Global për Përgjegjshmëri Sociale (GPSA).

Të ngjashme