Ekipi i Kosovës në konkurrencën e djemve në “beach volley”, i përbërë nga Faton Mustafa dhe Armend Berisha, pësuan humbje ndaj Portugalisë, 2:0 në sete (21:15 dhe 21:13).
Kosova pësoi disfatë në ndeshjen e parë në Lojërat e dyta Mesdhetare në Rërë, Patras 2019, ku po merr pjesë për herë të parë në një turne të tillë.
“Djemtë tanë dhanë maksimumin, por që nuk mjaftoi të shënojnë fitore. Ndeshjen e radhës e zhvillojnë me Francën”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Skuadrat e Kosovës ishin vendosur në Patras të Greqisë para shtatë ditësh për t’i filluar përgatitjet për këto lojëra, përderisa garat filluan më 25 gusht, ndërsa do të përfundojnë të shtunën, më 31 gusht.
Përveç Mustafës dhe Berishës, Kosovën do ta përfaqësojnë edhe dy volejbolliste: Dhuratë Ismajli dhe Valmire Ramadani, si dhe notari Arti Krasniqi, i cili e la Gjermaninë për ta përfaqësuar Kosovën.