Kosova po zhvillohet si destinacion turistik, rritet numri i turistëve për 25 për qind

Prishtinë | 21 Dhj 2024 | 09:00 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se turizmi në vend po përjeton rritje të qëndrueshme, duke u pozicionuar si një destinacion i preferuar për turistët ndërkombëtarë dhe vendas, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, numri i turistëve është rritur me 25 për qind çdo vit, ndërsa të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë një rritje prej 13.7 për qind për muajin tetor 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ai ka theksuar se në zhvillimin e turizmit në vend ka ndikuar me investime sektori privat. 

“Fatmirësisht kemi rritje, për shkak se ne tash jemi zhvilluar Kosova si destinacion turistik. Për shkak se kemi potenciale turistike, por edhe kemi sektorin i cili merret me zhvillim siç është sektori privat. Që është marr me ndërtimin e kapaciteteve hoteliere dhe turistike të cilët janë joshur për një numër të madh të turistëve. Numri i turisteve është rritur 25 për qind për çdo vit, këtë vit sipas statikeve të fundit të ASK-së për muajin tetor i kemi 13.7 për qind”, ka thënë ai. 

Ai theksoi se turistët që vizitojnë Kosovën vijnë kryesisht nga Gjermania, Shqipëria, Turqia dhe Zvicra, ku një përqindje e konsiderueshme përbëhet nga diaspora.

“Vendet që i kemi na vijnë janë prej Gjermanisë, Shqipërisë, Turqisë, Zvicrës. Diaspora ne momentin që e kalon 24 orëshin llogaritet turist. Nëse e krahasojmë me numrin e turisteve vendor dhe të jashtëm na del diku rreth 60 me 40 për qind, ose 59 me 41 për qind me shumë në favor të turistëve të jashtëm”, ka thënë ai. 

Kryetari i OHT-së ka thënë se Kosova për shërbimet hoteliere është ndër të parat në rajon. 

“Tek shërbimet kemi qenë të parët në rajon. Kemi bërë edhe një anketim dhe ka dal shumë mirë. Tekë kuzhinat dhe këto ne jemi në hartim e sipër të një plani operative në krejt Kosovën që të bëjmë trajnime që të kemi kuzhinier të mirë, banakier të mirë, pica men të mire e kështu me radhe”, ka thënë ai.

Sipas një raporti të publikuar nga ASK-së, në tetor të këtij viti, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotele ishte 57 mijë e 658, prej tyre 40 për qind ishin vendorë dhe 59.9 për qind ishin të jashtëm. Krahasuar me muajin tetor të vitit 2023 (sa ishin 55 mijë e 22 vizitorë) kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 4.6 për qind.

Sipas këtyre statistikave numri i net-qëndrimeve ishte 137 mijë e 551 prej tyre 49.6 për qind nga vendorët dhe 50.3 për qind nga të huajt. Po ashtu Numri i vizitorëve të brendshëm dhe net qëndrimet e tyre në Hotele, sipas regjioneve.

Ndërsa, sa u përket vizitorëve të huaj krahasuar me periudhën paraprake tetor 2023 ka rritje te vizitoreve për 13.7 për qind, ndërkaq, në total janë 34 mijë e 488 vizitorë të huaj.

“Numrin më të madh të vizitorëve te brendshëm në Hotele e ka regjioni i Pejës me 8 578 vizitor dhe më 30 353 net-qëndrimi. Numri i vizitorëve të jashtëm dhe net qëndrimet e tyre në Hotele, sipas shteteve prej nga vijnë”, thuhet në raportin e ASK-së.

Të ngjashme