Fondet e Paraanëtarësimit (IPA) për vendet që synojnë Bashkimin Evropian rrezikohet të humben sërish nga institucionet e Kosovës nëse nuk përmbushen reformat e kërkuar nga unioni, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, tha se prioritet mbetet anëtarësimi në BE, por edhe përmbushja e obligimeve të marra në kuadër të marrëveshjeve.
Reka në diskutimin e organizuar nga Instituti EPIK, me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur në kuadër të tryezës “IPA III”, shtoi se janë duke bërë përpjekje maksimale që politikat e hartuara të jenë në përputhje me ato të BE-së.
Luigi Brusa, nga Zyra e BE-së, tha se reformat më të mëdha në Kosovë janë bërë në administratën publike.
Sipas tij, sfidë mbetet niveli i lartë i korrupsionit në vend, raporton EO. Ai tha se për të përfituar fondet nga IPA III, duhet të luftohet korrupsioni e krimi i organizuar.
Demush Shasha, nga EPIK tha se BE-ja çdo ditë po kërkon më shumë reforma në procesin integrues drejt BE-së.