Kosova rrit eksportin e mallrave, këta janë partnerët kryesor

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka rritur eksportin e mallrave me 73.6 për qind, kurse importi ka shënuar rritje për 6.2 për qind, kurse Shqipëria, Gjermania dhe Zvicra janë partnerët kryesor për eksport gjatë dhjetorit të 2020-së.

Kështu thuhet në raportin “Statistikat e Tregtisë së Jashtme, dhjetor 2020”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), përcjell Telegrafi.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se gjatë muajit dhjetor 2020, kishte një deficit tregtar më të lartë për 0.3 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 309.2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 308.3 milionë euro që ishte një vit më herët.

Eksporti mbulon importin me 13.1 për qind.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave për këtë muaj kishte vlerën 46.7 milionë euro, ndërsa importi 355.9 milionë euro, që është një rritje prej 73.6 për qind për eksport dhe 6.2 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Nga të dhënat e grupeve kryesore të eksportit, 36.6 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14.6 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 11.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 9.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 5.1 për qind e përbëjnë produktet minerale, 4.8 për qind e përbëjnë produktet bimore dhe 4.7 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike e elektrike.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 15.4 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 13.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.7 për qind e përbëjnë produktet minerale, 10.4 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 10.1 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 7.5 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 5.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre.

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, për këtë muaj, arritën në 12.9 milionë euro ose rreth 27.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.6 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania me 8.9 për qind, Italia me 6.1 për qind dhe Holanda me 2.2 për qind.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 165.2 milionë euro ose 46.4 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 14 për qind, Italia me 5.6 për qind, Greqia me 3.8 për qind dhe Polonia me 3.3 për qind.

Në muajin dhjetor të 2020-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 23 milionë euro ose 49.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 89.6 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria me 30.7 për qind, Maqedonia e Veriut me 9.5 për qind, Serbia me 4.7 për qind dhe Mali i Zi me 3.2 për qind.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2020, arritën në 69.2 milionë euro ose 19.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67.6 qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 6.5 për qind, Shqipëria me 5.7 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 5.3 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.6 milionë euro ose 22.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden Zvicra me 8.5 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8.1 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 121.5 milionë euro ose 34.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 11.7 për qind dhe Kina me 10 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme