Kosova së shpejti pritet ta ratifikojë marrëveshjen për lëvizje të lirë me Bosnjën

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Tri marrëveshje u nënshkruan në Samitin e Berlinit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku njëra ndër to është heqja regjimit të vizave ndaj shtetasve të njëra-tjetrës, si rasti i Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të dyja shteteve që të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime.

Mirëpo, këto viza mes Kosovës e Bosnjës, nuk do të hiqen deri në ratifikimin e këtyre marrëveshjeve në Kuvendet e të dyja vendeve. Bosnja e Hercegovina, përveç Serbisë është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ia njeh pasaportën si dokument të vlefshëm.

Përveç kësaj marrëveshjeje për lirinë e lëvizjes, dy vendet nënshkruan edhe dy të tjera, atë për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektë.

E Kosova këto marrëveshje pritet që brenda një kohe të shkurtër ta bëjë ratifikimin e tyre në Kuvend.

Kështu për Teve1.info ka deklaruar Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“MPJD ka bërë vlerësimet e nevojshme dhe pritet që marrëveshjet të ratifikohen në një kohë të shkurtër”, tha ai.

Zulfaj ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka pranuar kopjet e verifikuara të marrëveshjeve me datën 12 dhjetor të vitit të kaluar nga Maqedonia e Veriut, e cila sipas tij, është vend depozitar.

“Sa i përket tri marrëveshjeve të lëvizshmërisë, ato për njohjen e kualifikimeve të institucioneve të arsimit të lartë, njohjen e profesioneve të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve si dhe asaj për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruara në Samitin e Berlinit në nëntor të vitit të kaluar në kuadër të Procesit të Berlinit, theksojmë që MPJD ka pranuar kopjet e verifikuara me datë 12 Dhjetor të vitit të kaluar nga Maqedonia e Veriut e cila është vend depozitar”, shtoi ai.

Sipas tij, marrëveshjet hyjnë në fuqi 30 ditë pas depozitimit të njoftimit të tretë zyrtar të ratifikimit.

“Pra duhet që së paku tre shtete të dorëzojnë instrumentet e ratifikimit tek shteti depozitar dhe 30 ditë pas këtij njoftimi marrëveshjet konsiderohen që janë në fuqi për shtetet që kanë dorëzuar instrumentet e ratifikimit”, përfundoi ai.

Për këtë çështje, Teve1.info u ka dërguar pyetje edhe Parlamentit të Bosnjës dhe Hercegovinës, mirëpo të njëjtit deri më tani ende nuk kanë kthyer përgjigje.

I ashtuquajturi Proces i Berlinit është një format i takimeve vjetore të iniciuara nga Qeveria gjermane qysh në vitin 2014, kur në Berlin është mbajtur një konferencë për Ballkanin Perëndimor.

Qëllim i tij është të forcojë bashkëpunimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe të përshpejtojë integrimin e tij në BE.

Të ngjashme