Java Botërore e Dhurimit të Gjakut, ka filluar të shënohet edhe në vendin tonë.
Për të shënuar këtë ditë, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, ka organizuar aktivitetin për dhurimin e gjakut në kryeqytet.
E këtij aksioni i janë bashkuar qytetarët, të cilët kanë dhuruar doza gjaku.
Qytetari Xhafer Beha edhe pse i shtyrë në moshë, ka vendosur të dhurojë gjak.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se nuk është vullnetar i rregullt, porse herë pas here dhuron gjak.
“Nuk jam vullnetar i rregullt por 6,7 herë kam dhuruar gjak. Është gjest human, se na kështu ju ndihmojmë atyre që kanë nevojë”, ka thënë ai.
Edhe i riu Naim Ramizi, ka thënë për Ekonomia Online se është dhurues i rregullt i gjakut. Dhe këtë e bën me dëshirën dhe vullnetin më të madh, pasi konsideron se me gjakun e tij shpëton jetën e dikujt.
“Po jam dhurues i rregullt, kur i takoj kështu herë pas here se për me shkua direkt në qendër nuk më ka ndodhë. Por çdo herë që i shoh nuk pritoj me dhanë gjak”, ka thënë ai.
Fadil Mahmuti, menaxher në Qendrën Kombëtare për Transfuzion të Gjakut, ka thënë për Ekonomia Online se kjo nuk është hera e parë që organizojnë aktivitetin për dhurimin e gjakut.
Ai ka treguar edhe për mungesën e gjakut që ka kjo qendër duke thënë se zakonisht grupet e gjakut RH negative janë ato që mungojnë më së shumti.
“Grupacionet e gjakut të cilat janë ato RH negative janë më të rralla, e kemi atë problem sikurse edhe në shumicën e vendeve sepse negative është me vështirë i gjindshëm”, ka thënë Mahmuti.
Sa i përket interesimit ai ka thënë se duke pasur parasysh sukseset e viteve të kaluara edhe këtë vit presin një numër të madh të dhuruesve të cilët kontribuojnë më sasinë e gjakut të mbledhur.
Ekipi mobil i QKTGJ, do të jetë gjatë tërë ditës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, që t’u mundësojë vullnetarëve të kontribuojnë me dhurimin e gjakut për nevoja të pacientëve kosovarë.
Gjithashtu dhuruesit vullnetarë do të kenë mundësi që në këtë qendër gjatë tërë ditës të shprehin humanizmin e tyre duke dhuruar gjak.
Gjatë kësaj dite, krahas këtyre aktiviteteve, do të flitet dhe do të jepen porosi sensibilizuese për rëndësinë që ka dhurimi vullnetar i gjakut.
QKTGJ lut qytetarët e vendit që t’i bashkohen këtij aktiviteti humanitar.