Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë vendim për të shtyrë paraqitjen e kërkesës për votim për anëtarësimin e Kosovës në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.
Në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit pranohet se Kosova nuk i ka ende votat e mjaftueshme që të anëtarësohet në këtë organizatë.
“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është kontribut direkt në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit”, theksohet në komunikatë.
“Republika e Kosovës është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit. Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë”.
“Si kryeministër i Kosovës, sot kam marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate”.
Kryeministri ka falënderuar të gjithë të involvuarit nga institucionet e Kosovës, si dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe i fton të gjithë që në takimin e radhës të punojnë që Kosova të votohet anëtare e Interpolit.