Mund të duket hipotezë paksa e çuditshme, por është afër së vërtetës që Kosova deri vonë nuk ka qenë në ndonjë axhendë relevante, për t’u themeluar si shtet i pavarur e sovran. Historia e saj nga antika e këndej është e mjegulluar nga pushtimet e huaja, nga organizimet e ndryshme administrative, nga kalimi prej një pushtuesi te tjetri. Për më tepër, në kufijtë e sotëm me të cilët u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt 2008, nuk ka ekzistuar asnjëherë, deri në vitin 1974, sepse në variacionet e ndryshme, që nga Dardania, Stara Srbija, Vilajeti i Kosovës, ka qenë ose pa kufij të definuar ose me kufij të tjerë.
Kosova për serbët nuk është “objekt i racionales dhe të logjikshmes”
Përderisa gjeografia ka luajtur me kufijtë e Kosovës, historia është vënë në lojë prej saj. Nga ajo mori ngjarjesh historike që përplasen në tokën e saj, dy ngjarje historike kanë pasur implikime dhe ndikime të mëdha dhe kanë edhe sot: Beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878.
Mbi të parën është krijuar miti serb për Kosovën si “tokë e shenjtë serbe” ose “Jerusalem serb”, i cili qëndron në themel të pretendimeve serbe madje edhe të gjenocidit serb kundër shqiptarëve në këtë hapësirë gjeografike. Por edhe pas gjenocidit të fundit të viteve 1998-1999, asgjë nuk ka ndryshuar në përjetimin mitik e iracional të Kosovës nga serbët, gjë që sublimohet në fjalët e patriarkut serb, Porfirije: “Kosova për ne është e farkuar me qiellin dhe në atë kuptim nuk mund të jetë objekt i pragmaticitetit, objekt i racionales dhe të logjikshmes.” Kur një gjë nuk mund të jetë objekt i racionales dhe të logjikshmes, është objekt i irracionales dhe të jologjikshmes, gjë që farktohet edhe në këtë mendim të njeriut të parë të Kishës Ortodokse Serbe, i cili poashtu pohon se: “Ajo që është Vatikani për Kishën Katoliko-Romane, është Kosova për ne.” Kësisoj, Kosova në sytë e serbëve rezulton të jetë kategori mentale iracionale dhe kategori historike spekulative.
Mbi këtë përjetim ka ndodhë edhe fjalimi i Millosheviqit në Gazimestan më 28 qershor 1989, mbi këtë përjetim ka ndodhë gjenocidi në vitet 1998-1999, mbi këtë përjetim Serbia refuzon ta njohë ekzistencën e Kosovës si shtet. Ndërsa mbi ngjarjen e dytë, atë të vitit 1878, është konstituuar miti i formimit të kombit shqiptar. Miti shqiptar për Lidhjen e Prizrenit është racional dhe si i tillë nuk paraqet rrezik për ekzistencën e shtetit serb e as të serbëve në Kosovën e pavarur.
Megjithatë, këtu nuk do të diskutohet më tutje as vërtetësia e ngjarjeve, as moraliteti i miteve, po vetëm dimensioni gjeopolitik që kanë nxitur e nxisin edhe sot në Kosovë përplasjet ndërmjet serbëve e shqiptarëve, po edhe të Fuqive të Mëdha. Dimensioni gjeopolitik i kësaj hapësire shqiptare, që në atë kohë ishte nën sundimin osman, u shfaq pas Kongresit të Berlinit. Ndonëse territori i Kosovës së sotme nuk u prek me ato vendime, me faktin që Kosova u shndërrua në periferi të territorit ku jetonin me shumicë shqiptarët, u shndërrua në problem, sepse periferia zakonisht shndërrohet në problem të sigurisë. Megjithatë, Kosova nuk mbeti gjatë periferi e Shtetit Osman, sepse u pushtua në vitin 1912 nga Serbia e nga Mali i Zi, që e copëtuan, duke e shpërbërë jo vetëm periferinë shqiptare po edhe kompaktësinë demografike, fetare e kulturore.
Sikundër dihet, Mali i Zi e filloi edhe një proces shtesë dekompozimi të Kosovës, me anën e konvertinit të dhunshëm të myslimanëve shqiptarë në ortodoks. Në rastin e mbetjes së Kosovës nën Serbi, nuk ndikoi vetëm fakti që ajo u pushtua në rrëmujën e Luftës së Parë Ballkanike. Në fakt, mbetja e saj nën Serbi u arsyetua pikërisht me mitin e Betejës së Kosovës, por pas asaj fasade ideologjike ishte projekti gjeopolitik rus për dominim në Ballkan. Interesi i proklamuar serb si i motivuar nga historia e nga miti, u shfrytëzua nga Rusia për ta forcuar pretendimin e vet pansllavist-imperialist. Edhe pas Luftës së Parë Botërore, u mirëkuptua pretendimi serb dhe Kosova vazhdoi të mbetej nën tutelen serbe e pansllave. Prej saj doli vetëm në vitet 1941-1945, në rrëmujën e Luftës së Dytë Botërore, por u rikthye sërish nën sundimin jugosllav, i cili nga viti 1945 ishte regjim komunist. Pra, që nga dalja nga ombrella osmane, Kosova ishte në sferën ruse të ndikimit, ideologjikihst nën sundimin e iracionales dhe të palogjikshmes.
Në aspektin gjeopolitik ekzistenca e Kosovës ende është pezull
Lëvizjet shqiptare të refuzimit e të rezistencës gjatë tërë asaj periudhe prej vitit 1912 e këndej nuk aspironin krijimin e një shteti të pavarur me emrin Kosovë. Lëvizjet e vetëmbrojtjes dhe rezistencës ishin irredentiste, pra, me aspiratën që Kosova të shkëputjen nga shteti serb-jugosllav e të bashkohej me Shqipërinë. Por fuqia e atyre lëvizjeve ishte e pamjaftueshme për ta ndryshuar pozitën gjeopolitike të Jugosllavisë, për ta nxjerrë nga sfera ruse në atë të Perëndimit. Kjo edhe për faktin se faktorët ndërkombëtarë, në kuadrin e Luftës së Ftohtë, nuk provokonin ndryshime që do të kishin reperkusione serioze në ato hapësira. E mbanin situatën të tensionuar, por jo shpërthyese. Pse? Sepse me marrëveshjen e Ruzveltit, Çerçillit e Stalinit në Jaltë, ishte vendosur që edhe Jugosllavia e edhe Shqipëria të mbeteshin në bllokun komunist, ku edhe nëse kishte fërkime etnike, ato do të trajtoheshin “brenda familjes komuniste”.
Natyrisht që ka pasur tentativa nga SHBA e Perëndimi që të ndikohej për destabilizimin e regjimeve totalitare, veçmas atij në Shqipëri, por për për shkak të komploteve të tipit të Kim Fillbit brenda shërbimeve, ato projekte nuk kanë pasur sukses. Letargjia gjeopolitike do të vazhdonte shumë gjatë, po të mos shpërthente kriza e brendshme në ish-federatën e Jugosllavisë, pas vdekjes në Titos në vitin 1980.
Pas vdekjes së Titos, turbulencat po kërkonin përgjigje në dimensionin etnik e gjeopolitik të krizës, ku SHBA dhe NATO tashmë e kishin sfiduar shumë më ashpër Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës. Me demonstratat e marsit-prillit 1981 dhe veçmas me brutalitetin që përdori shteti jugosllav ndaj protestuesve paqesorë, Kosova u shndërrua në njërin nga gurët e parë të dominos që filloi ta rrokullste atë krizë. Europës së ripërtëritur, pas katastrofës në Luftë e Dytë Botërore, filloi t’i fanitej si në një ëndërr fakti që kishte një pjesë të veten nën regjime gjakatare komuniste, të cilën duhej ta rikthente në gjirin e vet. Si fillim sytë u hodhën te kombet katolike, polakët, sllovenët dhe kroatët. Kosova mund të jetë imponuar edhe pa dashjen e tyre dhe pa gatishmërinë e saj, por u imponua shkaku i brutalitetit serb kundër shqiptarëve.
E meqë Kosova ishte bërë me Kushtetutën e vitit 1974 edhe njësi federale dhe kishte kufijtë e vet, (ndonëse formalisht ishte edhe pjesë e Serbisë, si krahinë autonome socialiste) ajo fitoi një peshë konkrete edhe si problem gjeopolitik. Kosova mund të përdorej si katalizator për krizën jugosllave, po edhe për ndryshimet që mund të provokoheshin në Shqipërinë e izoluar e të harruar. Mirëpo, Kosova paraqiste rrezik për stabilitetin e brishtë të Maqedonisë, ku interesat amerikane ishin më të theksuara. Pra, Kosova ishte një lloj bombe.
Sidoqoftë, deri në bombardimet e NATO-s, përkatësisht deri në termat e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, Kosova trajtohej si pjesë e Jugosllavisë nga të gjithë, pra edhe nga Bashkimi Evropian e edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, në asnjë rast nuk u trajtua si segment i çështjes shqiptare në Ballkan sikundër kemi qejf ne ta paraqesim me ngjyrat e ndezura të pseudonacionalizmit. Kjo gjë është shumë me rëndësi të kuptohet, sepse nëse kuptohet drejt, na ndihmon ta kuptojmë faktin themelor se Kosova shtet i pavarur është bërë shtet në mënyrë aksidentale, në pamundësi që të menaxhohej projekti nazist serb për Serbinë e Madhe, që tentoi të realizohej me anën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit.
Po të pranonte Millosheviqi Marrëveshjen e Rambujesë, Kosova do të mbetej në kornizën e shtetit të cunguar jugosllav, natyrisht me një autonomi substanciale, siç e pati emërtuar presidenti francez Shak Shirak, në hapje të asaj konference. “Korniza e këtyre bisedimeve është përkufizuar shumë qartë nga Grupi i Kontaktit. Ju do të keni këtu parimet e një autonomie thelbësore.“ (Bodin:158) Pra, mospranimi i marrëveshjes nga Serbia dhe bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake jugosllave e serbe, si përgjigje ndaj atij refuzimi, definitivisht e shndërroi Kosovën në një entitet me rëndësi globale gjeopolitike.
Edhe njëri nga pjesëmarrësit në të gjitha përpjekjet për frenimin e krizës dhe për gjetjen e paqes në ish Jugosllavi, Xhejms Pardju, konkludon se pavarësia e Kosovës nuk ishte në ato faza në planet e akterëve ndërkombëtar, veçse u torpedua nga politika e Millosheviqit: “Millosheviqi mund t’i ishte shmangur pavarësisë për Kosovën, por e bëri nje gabim strategjik, me peshë kritike, në periudhën ndërmjet tetorit të 1998-s dhe marsit të 1999-s.
Po të kishte bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, ta kishte kthyer në normale shkallën e forcave të sigurisë, ta kishte negociuar autonominë për Kosovën dhe t’i lejonte paqeruajtësit ndërkombëtarë ta monitoronin marrëveshjen, ai me siguri se do ta kishte zvarritur pavarësinë e Kosovës dhe mund t’i ishte shmangur pavarësisë si rezultat i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, Millosheviqi zgjodhi konfrontimin, duke e garantuar në të vërtetë më herët pavarësinë.“ (Pardju: 207)
Boça e kandarit nuk rri në një pozitë
Pas bomardimeve të NATOs mbi caqet ushtarake në Jugosllavinë e Zhablakut, Kosova definitivisht mori peshë globale gjeopolitike dhe kaloi në sferën atlantike. Por, Kosova e sotme ende mund të llogaritet si shtet eksperimental. Idetë morbide për shkëmbim territoresh, ose edhe për krijimin e një entiteti serb, janë dëshmi se Kosova ende nuk e ka siguruar ekzistenën e vet si shtet i pavarur dhe sovran, ende nuk është partner plotësisht i besueshëm i NATO-s dhe SHBA-së. Pse? Sepse disa veprime në këto vite kanë shkaktar se hutim ose iritim tek aleatët e saj. Fjala vjen, trazirat e vitit 2004, minimizimi i rolit të NATO-s në çlirimin e Kosovës, pjesëmarrja e frikshme e mercenarëve nga Kosova në luftërat në Siri e në Irak, loja me demarkacinin me Malin e Zi, idetë për shkëmbimin e territoreve, lojërat politike për bashkimin me Shqipërinë, tentativat për zhbërjen e Gjykatës Speciale, të gjitha këto kanë ndikime hutuese ose irituese tek aleatët e Kosovës, të cilën e kanë ndihmuar pavarësinë e saj, për ta bërë shtet të lirë e demokratik e jo epruvetë për eksperimente.
Pra, duhet ta mbajmë mend: në vorbullin e krizës jugosllave të viteve 90, Kosova e pavarur për shqiptarët ishte ideal, por shtet u bë nga një zhvillim aksidental, që lidhej me refuzimin serb në Rambuje. Nëse drejtuesit e Kosovës nuk e kuptojnë këtë rrugë të shtetndërtimit drejt dhe këtë pozicion ende të pasigurt vendit të vet, ata mund të dështojnë në transformimin e tij në një shtet të qëndrueshëm, stabil e të suksesshëm. Shumica prej tyre deri sot kanë qenë e janë larg që ta kuptojnë këtë gjë.
Nuk e kuptojnë se boça e kandarit në politikë e edhe në gjeopolikë nuk rrinë gjithmonë në të njëjtën pozitë. Fjala vjen, po të hiqte dorë Serbia nga përjetimi irracional dhe jologjik i Kosovës e me atë rast të anëtarësohej në NATO, pozita gjeopolitike e Kosovës do të mund të përmbysej.