Kosova solidarizohet me gratë në Iran, aktivistet presin flokët

Prishtinë | 12 Tet 2022 | 12:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata Joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR) KS”, kanë mbajtur një protestë në solidaritet me gratë në Iran, raporton Ekonomia Online.

Aktivistet kanë prerë edhe flokët në shenj solidarizimi me rastin e vdekjes së një 22-vjeçares Mahsa Aminit, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi nuk kishte vendosur në mënyrë të duhur shaminë e saj në përputhje me “rregullat e islamit”.

Organizatorja e këtij aktiviteti, Marigona Shabiu, tha se vrasja e Mahsa Aminit, ka bërë që të solidarizohen edhe qytetarët nga Kosova.

Me këtë rast, Shabiu tha se disa gra kanë prerë flokët për t’u solidarizuar me Aminin.

“Në shtator të këtij viti, policia e moralit ne Iran vrau 22-vjeçaren, Mahsa Amini. Ky akt mizor u bë për shkak të mosmbajtjes së duhur të mbulesës. Ajo u arrestua nga autoritet Iraniane, dhe dëshmitarët tregojnë që ajo është rrahur në një furgon. Mahsa Amini vdiq derisa ishte në paraburgim”.

“Rregullat strikte në Iran, dhe kontrolli ekstrem i trupave të grave dhe dukjes së tyre është shkaku i kësaj dhune. Autoritetet Iraniane, qysh nga revolucioni Iranian, i njohur ndryshe si Revolucioni Islamik, në vitin 1979, kur u bë edhe ndërrimi i pushtetit, kanë kontroll të plotë dhe të tejshkuar mbi vajzat e gratë, dukjen dhe veprimtarinë e tyre”, tha ajo.

Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm ndaj grave të reja nga policia mbikëqyrëse e moralit.

Në disa nga demonstratat, protestuesit janë përleshur me policinë.

Ndërkohë, policia e atjeshme e mohoi keqtrajtimin e Aminit dhe tha se ajo ka vdekur nga një atak në zemër. Presidenti Ebrahaim Raisi premtoi se kjo ngjarje do të hetohet.

Të ngjashme