Hendbollistët e përfaqësueses së Kosovës vlerësojnë se janë gati për t’i bërë ballë Malit të Zi në ndeshjen hapëse të ciklit të ri kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2022. Te Kosova janë optimistë se mund ta nisin mbarë fazën e dytë kualifikuese për “Euro 2022”, të cilën e kanë siguruar falë ngritjes në vitet e fundit. “Dardanët”, të martën, kur edhe kanë mbërritur në Podgoricë, kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Malit të Zi. Ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”, e zhvillojnë të mërkurën (20:30).
“Jam i entuziazmuar dhe i etur për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë. Ne do të kemi rastin tonë në këto dy ndeshje dhe duhet të nxjerrim avantazhe prej kësaj. E di që janë dy ndeshje të vështira, por ne do të luftojmë për të arritur diçka pozitive”, ka deklaruar trajneri i Besa Famgas, Javier Cabanas, që do ta udhëheqë Kosovën në dy ndeshjet, atë kundër Malit të Zi dhe të dielën ndaj Suedisë.
Cabanas është vetëm zëvendësues i përzgjedhësit Taip Ramadani, që shkaku i situatës së krijuar me koronavirus, e ka të pamundur të udhëtojë nga Australia, ku jeton, për në Kosovë. Synimi i vetëm në kampin e përfaqësueses në këtë cikël eliminator është kualifikimi në Evropianin që do të mbahet pas dy vjetësh. Te Kosova kanë shpresë të madhe për fitore në ndeshjen hapëse pas telasheve të shkaktuara nga situata me koronavirus te ekipi i Malit të Zi.
“Po t’i luajmë ndeshjet ashtu siç kemi luajtur të bashkuar në Itali gjatë janarit kur kemi qenë, që në mbrojtje, portierët dhe gjithë ne të funksionojmë siç duhet, besojmë se kemi gjasa të mira. Unë nuk po them se mund të arrijmë fitore, por them jo të humbim me dhjetë gola, por me tre apo katër gola do të ishte sukses për ne. Të gjithë e dimë se Suedia është përfaqësuese e fortë, por siç kam dëgjuar nuk do të vijë me ekipin e parë shkaku i pandemisë. Unë asnjëherë nuk jam frikësuar në Kosovë nga kundërshtari. Në Kosovë na frikësohen të gjithë, kush vjen këtu i frikësohet Kosovës, sepse luajmë me zemër për Kosovën”, ka thënë kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj. Kosova ka nisur të enjten përgatitjet për ndeshjen me Malin e Zi dhe atë me Suedinë që luhet të dielën në Prishtinë. Edhe Suedia pritet të mos udhëtojë drejt Kosovës me ekip të kompletuar, shkaku i situatës me COVID-19. Edhe hendbollisti tjetër i rëndësishëm i Kosovës, Kastriot Jupa, është shprehur optimist se mund të arrijnë rezultate pozitive në dy ndeshjet e para. Pjesë e grupit të tetë është edhe Rumania. Duelin kundër rumunëve, “Dardanët” do ta kenë më vonë.
“Fatmirësisht jemi të kompletuar dhe nuk kemi probleme me koronavirusin për dallim nga Mali i Zi, që ka mundësi të shumta. Duhet ta shfrytëzojmë këtë rast. E dimë fuqinë e tyre dhe e pranojmë se janë në nivel më të lartë, por me punën që e kemi bërë në udhëheqje të trajnerit Cabanas jemi munduar të përgatitemi maksimalisht, që në ndeshje t’i implementojmë kërkesat e tij dhe besoj se do të kemi sukses në këto dy ndeshje”, është shprehur Jupa.
E shpresë për rezultate pozitive në këto ndeshje ka edhe hendbollisti tjetër i Kosovës, Egzon Gjuka.
“Jemi përgatitur maksimalisht, kemi shikuar ndeshjet e tyre ku synojmë t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të tyre dhe t’i ndalim pikat e forta. Të tria përfaqësueset janë superiore, por ne do ta japim maksimumin që të arrijmë rezultate pozitive në të gjitha ndeshjet”, ka thënë Gjuka.