Sarajeva ka qenë nikoqire e Kampionatit Ballkanik të Pingpongut për seniorë nga 4 deri në 8 shtator, ku Kosova ka marrë pjesë me ekipet e të dyja gjinive. Në kategorinë e meshkujve, Kosova është përfaqësuar nga Fatih Karabaxhaku, Kreshnik Mahmuti dhe Blendi Hajdari, nën udhëheqjen e trajnerit Dardan Imami, ndërsa në kategorin e femrave, Kosova u paraqit me Shega Hashanin, Lenë Osmani dhe Alma Mehmetin, të udhëhequra nga trajneri Ridvan Hashani.
Në kategorinë e meshkujve, në fazën e parë, Kosova ishte në grupin C së bashku me Rumaninë dhe Bullgarinë, ku pësuan humbje. Në fazën e dytë për plasman, Kosova ishte në grup me Italinë dhe Shqipërinë, duke i mundur të dyja me rezultat 3:0 dhe kështu zuri vendin e 7 nga 9 shtete pjesëmarrëse.
Ndërsa në kategorinë e femrave, në fazën e parë, Kosova ishte në grupin B me Bullgarinë, Greqinë dhe Shqipërinë, duke fituar ndaj Shqipërisë, por duke humbur ndaj Greqisë dhe Bullgarisë. Në 8-shen e finales, Kosova humbi ndaj Turqisë dhe në garat për vendin e 5-8, përjetoi një humbje nga Bosnja dhe Hercegovina dhe një fitore ndaj Shqipërisë, duke përfunduar në vendin e 7 nga 8 shtete pjesëmarrëse.
Në garat individuale, të gjithë sportistët dhanë maksimumin e tyre, por vetëm Lenë Osmani kaloi fazën e grupit dhe fitoi ndaj sportistes nga Bosnja dhe Hercegovina në të 32-shen e finales, për të humbur më pas në të 16-shen e finales nga sportistja rumune, e cila u shpall kampione e këtij Kampionati. Në garat e çifteve, sportistët kosovarë paraqitën performanca të mira. Megjithatë përveç çiftit të meshkujve, Fatih Karabaxhaku dhe Kreshnik Mahmuti, të cilët fituan ndaj çiftit nga Bullgaria dhe u kualifikuan në të 8-shen e finales, çiftet e tjera humbën në xhiron e parë.
Në ndeshjen për plasman në gjysmëfinale, ata dhanë maksimumin ndaj çiftit nga Greqia, por nuk arritën të kalonin përpara