Përfaqësuesja U-16 e Kosovës në basketboll do të kërkojë të shmangë pozitën e fundit në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po mbahet në Podgoricë.
Kosova U-16 të premten ka luajtur për plasman përfundimtar nga pozita 21 deri në pozitën 24 (të fundit) dhe ka pësuar nga Zvicra me rezultatin 68:55. Kështu Kosova tani do të luajë për pozitën 23, në ndeshjen e fundit të saj në Evropian.
Ndaj Zvicrës, pas çerekut të parë të barabartë, Kosova mbeti dukshëm prapa në çerekun e dytë dhe më nuk mundi të kthehej në lojë. Kosovës nuk i mjaftoi kontributi i Visar Ejupit që ndeshjen e mbylli me 26 pikë e 17 kërcime.
Lojtarët tjerë nuk kishin ndonjë kontribut të madh në ndeshje. Për plasman, Kosova të enjten kishte pësuar edhe nga Qipro. Në fazën grupore ka humbur thellë nga Hungaria, Polonia, Bullgaria e Suedia, ndërsa ka fituar ndaj Norvegjisë.
Ndeshjen për t’i ikur pozitës së fundit, Kosova e luan të shtunën (sot). Edhe përfaqësueset tjera të grupmoshave në basketboll, në të dy gjinitë, kanë pasur një verë për t’u harruar, njëjtë si përfaqësueset e sporteve të tjera, hendbollit e volejbollit.